E kuqja do të jetë ngjyra e tij edhe për dy vjet të tjerë; Ducati Corse bën të ditur rinovimin e kontratës me Marc Marquez edhe për sezonet 2027 e 2028 duke forucar projektin teknik dhe sportiv që do të vazhdojë të shohë pilotin spanjoll ende me skuadrën zyrtare të Ducatit në Botërorin e MotoGP.

Raportet mes skuadrës nga Borgo Panigale dhe kampionit në fuqi të botës nisën në fillim të 2024 për të marrë rezultatin maksimal një vit më vonë në 2025; me Ducati Lenovo, Marc Marquez shënoi 14 fitore në Garat Sprint dhe 11 triumfe në GP, në 10 nga të cilat ka regjistruar dopietë, fitoi titullin për pilotë 5 gara nga fundi i kampionatit dhe vendosi rekordin absolut të pikëgve të grumbulluar për një sezon në MotoGP, 545 pikë.

Gjashtë vjet pas titullit të fundit botëror, ai i Marquez ishte një rikthim i paprecedentë dhe konsiderohet si një prej arritjeve më të mëdha në historinë e sportit. Në këtë vit 2026 që është simbolik për Ducatin që feston 100 vjetorin e themelimit të tij, Marc Marquez dhe Ducati ndërthurën sërish fatin e tyre duke arritur në të njëjtën ditë, Çmimin e Madh të Hungarisë, kufirin e 100 fitoreve. Një 100 e trefishtë; vitet e jetës së Ducatit, numri i fitoreve në karrierën e Marquez në disa kategori të Botërorit të Motoçiklizmit(74 në MotoGP, 16 në Moto2 dhe 10 në 125 cc) dhe sukseset e  Team Factory Ducati në MotoGP që nga 2003.

‘Jam i kuq. Jam me të vërtetë i lumtur për këtë marrëveshje të re me skuadrën Ducati Lenovo dhe që do të vazhdoj të jem pjesë e kësaj familjeje-tha ndër të tjerat Marquez-kur vendosa të vij te Ducati, isha i bindur se ky ishte projekti më kompetitiv në mënyrë absolute. Besuan te unë dhe ndërtuam një raport të bazuar te besimi dhe puna e madhe. Me këtë rinovim, konfirmuan edhe njëherë këtë impenjim duke respektuar kohët e mia dhe duke më dhënë qetësinë për të cilën kisha nevojë që të merrja vendimin e duhur’.

Top Channel