Ekspozita e Eugène Pittard në Korçë, fotot e Shqipërisë 1921 të realizuara nga antropologu ndërthuren me teknologjinë

23/06/2026 12:29

Ekspozita “Shqipëria 1921 – Eugène Pittard”, një rrugëtim i rëndësishëm i kujtesës historike, ka mbërritur për publikun korçar në një format krejtësisht të ri.

Galeria e Arteve Digjitale dhe sheshi përpara saj u shndërruan në një hapësirë ku historia takohet me teknologjinë e fundit. Përmes një eksperience me videoprojeksione, instalacione dhe realitet virtual (VR), vizitorët patën mundësinë të kthehen pas në kohë, në vitin e brishtë 1921.

Në qendër të kësaj ekspozite është vepra e çmuar e antropologut Eugène Pittard. Qindra fotografitë e tij, të realizuara me syrin e një humanisti, sjellin dëshmi të hershme të fotografisë sociale, ku shqiptarët nuk shihen si objekte të ftohta studimi, siç ndodhte rëndom në studiot e kohës, por si dëshmitarë të gjallë të një historie që meriton të ruhet dhe të tregohet.

“Kjo ekspozitë u kushtohet fotografive të realizuara mbi 100 vjet më parë nga Eugène Pittard, i cili është vërtet një figurë historike në marrëdhëniet tona dypalëshe midis Zvicrës dhe Shqipërisë. Ai ka punuar në shumë fusha; jo vetëm që dokumentoi jetën e përditshme të njerëzve para një shekulli, por gjithashtu mbështeti pavarësinë e Shqipërisë, anëtarësimin e saj në Lidhjen e Kombeve dhe themeloi Kryqin e Kuq Shqiptar.

Për ne si Ambasadë Zvicerane, është fantastike të shohim këtë lidhje historike dhe mënyrën se si zoti Pittard dhe bashkëshortja e tij, e cila ka qenë gjithashtu shumë aktive si shkrimtare, kontribuuan për Shqipërinë”, u shpreh ambasadorja e Zvicrës, Ruth Huber.

Zvicra mbetet një nga donatoret dhe mbështetëset më të mëdha të pushtetit vendor në Shqipëri, duke financuar projekte jetike marrëdhënie kjo që tashmë po pasurohet edhe përmes dimensioneve të tilla kulturore.

Ekspozita, e cila ofron një qasje inovative si në ambientet e mbyllura ashtu edhe në ato të hapura të galerisë, do të qëndrojë e hapur për publikun për dy javë radhazi, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në jetën kulturore të qytetit të Korçës.

Top Channel