“Detektori i gënjeshtrave”, komedia që sjell në skenë sekretet, krizat dhe raportet në çift

23/06/2026 15:26

Ai është një burrë me vese. Ajo nuk i duron dot më gënjeshtarët dhe vendos të marrë një hipnotizues, për të zbuluar të vërtetat e hidhura mes një çifti.

Kështu nis “Detektori i gënjeshtrave”, vepra që ftoi publikun në teatër të qeshë dhe të reflektojë me dramat e fshehta, që mbartin personazhet, interpretuar nga aktorët Cubi Metkaj, Kejdi Gishto dhe Erdit Asllanaj.

“Mendoj që shumë njerëz e gjejnë veten te vepra”, u shpreh Cubi Metkaj.

“Është një vepër që prek raportet në çift, situatat janë fantastike. Dhe ne nuk duhemi kaq shumë”, tha Klejdi Gishto.

Në qendër të komedisë qëndron figura e “dedektorit”, i cili pretendon të zbulojë të vërtetën absolute. Por, ndërsa ngjarjet zhvillohen, bëhet e qartë se askush nuk është i përjashtuar nga vetëmashtimi. Detektori shërben si metaforë e autoritetit moral dhe e prirjes njerëzore për të gjykuar të tjerët.

“Temat në çift duken të përsëritura, por gjithmonë ka të reja për të zbuluar në marrëdhënien në çift në kohën që jetojmë. Jep një mesazh të fortë, sepse kur ndertohen raportet mbi gënjeshtrën, do të shkatërrohen herët apo vonë”, tha Erdit Asllanaj.

“Realiteti i personazheve, faktori social-ekonomik, si ndikon gjendja ekonomike edhe te një çift, martesa e të cilëve ka qenë magjike në fillim”, u shpreh regjisori Drini Hasani.

Vepra që vjen si pasqyrë kritike të shoqërisë sot pati premierën në Teatrin Kombëtar dhe më pas u ndal në Teatrin Metropol, mbyll sonte rrugëtimin për këtë sezon me shfaqjen e fundit në Teatrin Eksperimental.

Top Channel