SHBA dhe Irani drejt bisedimeve në Zvicër, në tryezë programi bërthamor dhe tensionet në Lindjen e Mesme
Franca ka vendosur kufizime për konsumin e alkoolit në disa aktivitete publike gjatë festivalit të madh muzikor Fête de la Musique, ndërsa vendi përballet me një valë të fortë të nxehti dhe temperatura rekord.
Vendimi është marrë për shkak të alarmit të kuq për temperatura ekstreme, me autoritetet që paralajmërojnë se një pjesë e madhe e vendit do të përballet me temperatura deri në 40-41 gradë Celsius.
Zyra e kryeministrit francez Sébastien Lecornu njoftoi se për eventet e organizuara nga institucionet shtetërore është kërkuar që të mos shërbehet alkool, me qëllim uljen e presionit mbi shërbimet e urgjencës dhe mbrojtjen e personave më të rrezikuar.
Miliona njerëz në rrugë, por temperaturat sjellin masa të jashtëzakonshme
Fête de la Musique, festivali që mbahet çdo vit në solsticin e verës, tërheq miliona njerëz në rrugët e qyteteve franceze me koncerte dhe performanca falas.
Vetëm në Paris, vitin e kaluar morën pjesë rreth 2 milionë persona. Por vala e të nxehtit ka shkaktuar probleme në disa zona të Francës, duke sjellë anulime trenash dhe pezullime të aktiviteteve shkollore.
Shërbimi meteorologjik francez Météo-France ka paralajmëruar se vala e nxehtësisë mund të prekë rreth tre të katërtat e popullsisë dhe kohëzgjatja e saj mbetet e pasigurt.
Për të ndihmuar qytetarët dhe turistët të përballojnë temperaturat e larta, autoritetet në Paris kanë vendosur të mbajnë hapur gjatë natës disa parqe dhe kopshte publike.
Top Channel