Sulmi izraelit në Gaza vret operatorin e Al Jazeera-s, humbin jetën edhe pesë persona të tjerë

21/06/2026 10:34

Të paktën gjashtë persona, mes tyre një kameraman i Al Jazeera-s dhe një fëmijë, janë vrarë si pasojë e sulmeve izraelite në Rripin e Gazës, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze dhe ekipeve të shpëtimit.

Rrjeti mediatik Al Jazeera njoftoi se kameramani i saj, Ahmed Wishah, humbi jetën gjatë një sulmi ndaj një shtëpie në kampin e refugjatëve Bureij, në pjesën qendrore të Gazës. Media e cilësoi ngjarjen si një “krim të urryer” dhe akuzoi Izraelin për shënjestrim të gazetarëve.

Nga ana tjetër, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) deklaruan se Wishah ishte pjesë e krahut ushtarak të Hamasit dhe shërbente si snajperist, pretendim për të cilin nuk u paraqitën prova publike.

Sipas burimeve lokale, në të njëjtin sulm u vranë edhe dy persona të tjerë. IDF pretendoi se edhe ata kishin lidhje me Hamasin.

Ndërkohë, një tjetër sulm në lagjen Sabra të qytetit të Gazës la të vrarë katër anëtarë të së njëjtës familje. Burimet spitalore raportuan se mes viktimave ishin dy gra dhe të paktën një fëmijë.

Familjarët e viktimave mohuan çdo lidhje me Hamasin, duke deklaruar se bëhej fjalë për civilë.

Sulme të tjera u raportuan gjithashtu në zona të ndryshme të Gazës veriore dhe jugore, ndërsa armëpushimi i arritur muaj më parë vazhdon të përballet me akuza të ndërsjella për shkelje nga të dyja palët.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, më shumë se 73 mijë persona janë vrarë që nga fillimi i luftës pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, kur rreth 1,200 persona humbën jetën dhe 251 të tjerë u morën peng.

Ndërkohë, Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëron se, pavarësisht rritjes së ndihmave humanitare pas armëpushimit, kushtet e jetesës në Gaza mbeten kritike, me shumicën e popullsisë që vazhdon të ketë nevojë për strehim, ujë të pijshëm dhe shërbime bazë.

Top Channel