Irani dërgon ekipin e nivelit të lartë në Zvicër, Ghalibaf kryeson bisedimet me SHBA-në

21/06/2026 10:17

Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, do të kryesojë delegacionin iranian në bisedimet me Shtetet e Bashkuara që po zhvillohen në Zvicër, raportojnë mediat iraniane.

Sipas Saberin News, Ghalibaf, i cili ka pasur një rol të rëndësishëm në procesin e negociatave për t’i dhënë fund konfliktit mes Iranit dhe SHBA-së, do të udhëheqë ekipin negociator të Teheranit në takimet e radhës.

Pjesë e delegacionit iranian janë edhe ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi, si dhe zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baghaei. Në ekip përfshihen gjithashtu disa zyrtarë të lartë të sektorit bankar dhe energjetik, çka tregon rëndësinë e çështjeve ekonomike dhe të naftës në tryezën e diskutimeve.

Ndërkohë, në Zvicër ka mbërritur edhe zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, i cili do të përfaqësojë palën amerikane në negociata.

Takimi mes dy delegacioneve vjen në një moment të ndjeshëm për rajonin, mes tensioneve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme dhe përpjekjeve diplomatike për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të krizës.

Top Channel