Julian Alvarez mban “besën” e dhënë”, sulmuesi argjentinas vazhdon të shtyjë për transferimin te Barcelona. Refuzohet PSG-ja

18/06/2026 08:25

Barcelona vazhdon të punojë në heshtje për të siguruar shërbimet e Julián Álvarez, i cili konsiderohet si objektivi kryesor për të zëvendësuar Robert Lewandowski në të ardhmen.

Sipas raportimeve nga Spanja, sulmuesi argjentinas mbetet plotësisht i përfshirë në operacionin e mundshëm të transferimit te Barcelona dhe vazhdon ta konsiderojë klubin katalanas si destinacionin e tij të preferuar.

Burime pranë klubit katalanas bëjnë të ditur se Alvarez i ka komunikuar Atletico Madrid dëshirën për t’u larguar gjatë kësaj vere, duke vendosur Barcelonën në krye të preferencave të tij.

Megjithatë, drejtuesit e Atletico Madridit po përpiqen ta orientojnë lojtarin drejt klubeve të tjera evropiane, veçanërisht te Paris Saint-Germain ose Arsenal FC, për të shmangur transferimin e tij te një rival direkt në kampionatin spanjoll.

Sipas të njëjtave burime, Atletico dhe PSG kishin arritur më herët një marrëveshje për transferimin e sulmuesit, por Alvarez refuzoi kategorikisht lëvizjen. Një situatë e ngjashme thuhet se ka ndodhur edhe me Arsenalin, ku klubi londinez kishte diskutuar një operacion që përfshinte pagesë financiare dhe kartonin e Viktor Gyokeres, por argjentinasi nuk pranoi të largohej drejt Anglisë.

Kjo qëndresë e lojtarit për të mos pranuar ofertat e PSG-së dhe Arsenalit po forcon bindjen e Barcelonës se transferimi mund të realizohet gjatë merkatos verore.

Megjithatë, në klubin katalanas pranojnë se negociatat nuk do të jenë të lehta. Barcelona beson se një lëvizje vendimtare mund të vijë vetëm nëse vetë lojtari shpreh publikisht dëshirën për t’u larguar, ashtu siç bëri kur u transferua nga Manchester City te Atletico Madrid në vitin 2024.

Aktualisht, Barcelona nuk po mendon për një ofertë të dytë, pasi merkatoja mbetet e gjatë dhe angazhimi i Álvarez në turneun ndërkombëtar me kombëtaren argjentinase ka ngadalësuar zhvillimet.

Ndërkohë, presidenti i Atletico Madridit, Enrique Cerezo, reagoi sërish ndaj spekulimeve për të ardhmen e sulmuesit.

“Julián është lojtar i Atletico Madridit. Kushdo që e dëshiron, le të vijë, të shohë kontratën dhe më pas të vendosë nëse mund ta transferojë apo jo”, deklaroi Cerezo, duke lënë të kuptohet se klubi nuk ka ndërmend ta lehtësojë largimin e yllit argjentinas.

Top Channel