“Ngjarja më e madhe në historinë e MMA-së”, kështu e përshkruan Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti i UFC-së, Dana Ëhite, spektaklin UFC 250 Freedom të organizuar në Shtëpinë e Bardhë.

Eventi madhështor i zhvilluar në Kopshtin Jugor të rezidencës presidenciale tejkaloi çdo pritshmëri, duke mbledhur figura të njohura nga e gjithë bota dhe duke ofruar një atmosferë të jashtëzakonshme patriotike.

Kafazi i UFC-së u dekorua me flamuj amerikanë, efekte të shumta ndriçimi dhe fishekzjarre, ndërsa avionë luftarakë fluturonin mbi arenë. Luftëtarët hynin në kafaz direkt nga ambientet e Shtëpisë së Bardhë, duke e kthyer mbrëmjen në një spektakël unik.

Megjithatë, nata pati një fund të hidhur për kampionin Ilia Topuria. Luftëtari hispano-gjeorgjian humbi titullin e peshës së lehtë dhe regjistroi humbjen e parë në karrierën e tij, pasi u mposht nga Justin Gaethje me nokaut teknik (TKO) në raundin e katërt.

Topuria e nisi mirë përballjen, duke kërkuar kontrollin e luftës që në raundin e parë. Megjithatë, me kalimin e minutave, Gaethje filloi të gjente ritmin e tij, duke goditur vazhdimisht me jab dhe kombinime të fuqishme që i shkaktuan dëmtime të dukshme kampionit.

Në raundin e dytë, Topuria reagoi duke sulmuar fort trupin e kundërshtarit dhe madje tentoi një submission me trekëndësh, por amerikani arriti të shpëtonte. Raundi i tretë ishte sërish në favor të Gaethje, i cili e rrëzoi Topurian dhe e vuri në vështirësi me një tentativë për D’Arce choke. Në fund të raundit, gjendja fizike e kampionit u përkeqësua ndjeshëm, ndërsa gjaku i mbulonte fytyrën dhe shikimi në syrin e djathtë ishte pothuajse i humbur.

Pavarësisht dëmtimeve dhe vështirësive, Topuria tregoi zemër dhe rezistencë të jashtëzakonshme në raundin e katërt. Megjithatë, presioni i vazhdueshëm i Gaethje rezultoi vendimtar dhe arbitri ndërhyri për të ndalur përballjen, duke i dhënë fitoren amerikanoit me TKO.

Pas triumfit, publiku amerikan shpërtheu në festë mes brohorimave dhe fishekzjarreve. Emocional pas fitores, Gaethje deklaroi: “Ende nuk mund ta besoj. E dija se duhej të mbijetoja raundin e parë. Ai ka aftësi të jashtëzakonshme, por këmbëngulja dhe zemra ime më ndihmuan ta mposht. Jam krijuar për momente si ky.”

Me këtë fitore historike, Justin Gaethje bëhet kampioni i ri i peshës së lehtë në UFC, ndërsa Ilia Topuria humbet për herë të parë në karrierën e tij profesionale, në një nga eventet më spektakolare që ka organizuar ndonjëherë UFC.

Top Channel