I akuzuar për sulm seksual, Gjykata e Spanjës dënon me 8 vite burg ish-futbollistin e Sevillas

15/06/2026 16:42

Sipas raportimeve të mediave spanjolle, Gjykata Provinciale e Valencias ka dënuar futbollistin spanjoll Rafa Mir me 8 vite e 6 muaj burg për akuza që lidhen me sulm seksual dhe lëndim personal.

Vendimi përfshin gjithashtu një ndalim 10-vjeçar për t’iu afruar viktimës brenda 500 metrave dhe një detyrim për të paguar rreth 64,000 euro dëmshpërblim.

Sipas dosjes së çështjes, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 1 shtator 2021, kur lojtari atëherë pjesë e Valencias ka njohur një grua 21-vjeçare në një klub nate dhe më pas e ka ftuar në banesën e tij. Gjatë procesit gjyqësor, pala akuzuese ka deklaruar se sjellja e futbollistit ka qenë pa pëlqim, ndërsa ai i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se gjithçka ka qenë me konsensus.

Prokuroria kishte kërkuar një dënim pak më të lartë, rreth 10 vite e gjysmë burg. Sipas të njëjtave burime, vendimi pritet të apelohet nga mbrojtja e lojtarit.

Sa i përket karrierës së tij, Rafa Mir është formuar në akademitë e Barcelonës dhe Valenciës, ka luajtur në Angli me Wolverhampton dhe më pas është aktivizuar në disa klube spanjolle, përfshirë edhe Sevillan. Në sezonet e fundit ka qenë i huazuar dhe ka vazhduar karrierën në La Liga.

Në këtë fazë, çështja mbetet e hapur për shkak të mundësisë së apelimit.

Top Channel