Vodhën xhirot ditore të 12 bizneseve në Lezhë, arrestohet 21-vjeçari, në kërkim bashkëpunëtori i tij

13/06/2026 14:25

Policia e Lezhës ka zbardhur një seri vjedhjesh të ndodhura gjatë muajve maj dhe qershor 2026, ku objektiv i autorëve ishin xhirot ditore të bizneseve në qytet.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Llogaritë”, u arrestua shtetasi Manuel Medja, 21 vjeç, banues në Lezhë, ndërsa u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij i dyshuar, Elger Uka, 26 vjeç.

Sipas hetimeve të kryera nga Komisariati i Policisë Lezhë, dy të rinjtë dyshohet se kanë bashkëpunuar për të vjedhur të ardhurat ditore të 12 subjekteve tregtare në qytet, duke u shkaktuar dëme financiare pronarëve të tyre.

Hetimet nisën pas kallëzimeve të bëra nga disa administratorë biznesesh, të cilët denoncuan vjedhjen e xhirove ditore nga ambientet që administronin.

Policia bën me dije se puna vijon për kapjen e 26-vjeçarit të shpallur në kërkim, si dhe për verifikimin e përfshirjes së dyshuar të tyre në raste të tjera vjedhjesh të ndodhura në zonë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme hetimore.

Top Channel