Premiera e “Martini” në Fier, teatri Bylis çel sezonin me komedinë e re të Odise Plakut

12/06/2026 15:07

Teatri Bylis në Fier ka çelur dyert për premierën e komedisë “Martini”, vepër e autorit Odise Plaku, me regji të Adelina Muçës.

Shfaqja, e cila do të ngjitet në skenë për tre net me radhë, sjell për publikun një histori plot humor, emocione dhe reflektim.

Në qendër të veprës janë Laura dhe Media, dy mike të vjetra që gjatë një takimi të zakonshëm zbulojnë ëndrra të parealizuara, kujtime dhe dilema që prekin jetën e secilit.

Përmes dialogëve të gjallë dhe situatave komike, komedia trajton tema si liria personale, marrëdhëniet familjare, vetmia dhe dëshira për të jetuar sipas zgjedhjeve të veta.

Regjisorja Adelina Muça ngjitet vetë në skenë së bashku me aktoren Julia Ilirjani, duke sjellë një interpretim dinamik dhe plot energji.

“Martini” nuk është vetëm një komedi për të qeshur, por edhe një ftesë për të reflektuar mbi ëndrrat e lëna pezull dhe nevojën për liri individuale.

Me këtë premierë, Teatri Bylis synon t’i ofrojë publikut fierak një nga ngjarjet më të spikatura kulturore të sezonit veror.

Top Channel