Kriza në Downing Street/ Ministri i Mbrojtjes britanik dorëhiqet: Starmer nuk siguron burimet e nevojshme për të mbrojtur vendin Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth shkaktoi reagime te forta me deklaratat e tij lidhur me të burgosurit e mbajtur në kampin e paraburgimit në Gjirin e Guantanamos, kur se sipas bindjes personale, disa prej tyre duhej të ishin ekzekutuar shumë vite më parë për krimet e kryera kundër Shteteve të Bashkuara.
Hegseth i bëri komentet gjatë një konference për shtyp të mbajtur në Tampa të Floridës, pas një vizite në bazën detare amerikane atje. Vizita u zhvillua në një periudhë tensionesh të shtuara ndërkombëtare dhe kishte për qëllim, sipas Pentagonit, takimet me personelin ushtarak dhe vlerësimin e operacioneve në terren. Gjatë konferencës, Hegseth u pyet nga komentatorja konservatore Laura Loomer për arsyet pse disa prej figurave më të njohura të terrorizmit ndërkombëtar vazhdojnë të mbahen në Guantanamo pas më shumë se dy dekadash.
Loomer iu referua veçanërisht Khalid Sheikh Mohammed, i konsideruar nga autoritetet amerikane si arkitekti kryesor i sulmeve terroriste të 11 shtatorit e ngriti pyetjen përsë qeveria amerikane ka zgjedhur ta mbajë atë gjallë.
“Kam shkruar gjerësisht për këtë çështje. Sipas mendimit tim personal, këta të burgosur të Guantanamos duhej të ishin ekzekutuar shumë kohë më parë për krimet që kanë kryer kundër popullit amerikan”, citohet të jetë përgjigjur Hegseth.
Sekretari i Mbrojtjes shtoi se, sipas tij, proceset e gjata ligjore dhe burokratike kanë penguar vendosjen e drejtësisë në raste të tilla, teksa kujtoi se ka shërbyer edhe vetë më parë në bazën e Guantanamos dhe tha se sistemi amerikan i drejtësisë është përballur me vështirësi në trajtimin e këtyre çështjeve. Aktualisht, në këtë strukturë mbahen 15 të burgosur, pesë nga të cilët tyre akuzohen për përfshirje në planifikimin dhe organizimin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit.
Top Channel