New York Knicks u bë protagoniste e një prej përmbysjeve më të çmendura dhe të pabesueshme në historinë e Finales së Madhe të NBA dhe në Madison Square Garden arrin të mposhtë San Antonio Spurs 107-106 në ndeshjen e katërt duke marrë kryesimin në serinë e sfidave në 3-1 dhe tani është vetëm 1 fitore larg titullit

Për pjesën më të madhe të kohës, ndeshja ishte e dominuar totalisht nga San Antonio që dukej se po kthehente ekuilibrin në këte Finale. Skuadra teksane zhvilloi një pjesë të parë thuajse perfekte duke dominuar në sulm dhe duke goditur vazhdimisht nga harku. Në 24 minutat e para, San Antonio realizoi 14 gjuajtje për 3 pikë duke vendosur një rekord për pjesën e parë në një ndeshje të Finales së Madhe teksa e mbylli pjesën e parë me një avantazh prej 27 pikësh. 

Neë York tentoi të reagojë në periodën e tretë duke arritur të shkurtojë disavantazhin deri në 15 pikë, por San Antonio e thelloi sërish diferencën duke e çuar atë në 20 pikë. Në këtë pikë ndeshja dukej se ishte e mbyllur. Por pikërisht këtu merr formë mrekullia e Knicks. E drejtuar nga Jalen Brunson, skuadra njujorkeze rriti intensitetin në mbrojtje dhe arriti të gjejë vazhdimësi edhe në sulm. Me kalimin e  kohës avantazhi i Spurs po venitej gjithnjë e më shumë. 

Kur kishin mbetur 1 minutë e 22 sekonda lojë, Brunson shënoi koshin që i dha avantazhin e parë New York, 105-104. San Antonio u përgjigj me dy gjuajtje të lira të Stephon Castle duke marrë avantazhin në 106-105, por në çastet e fundit teksanët bënë disa gabime të rënda duke i dhënë New Yorkut shansin e fundit dhe topi siç mund të parashikohet shkoi në duart e Brunson. Gjuajtja e këtij të fundit nga gjysmëdistanca nuk ishte e sakte, por nën kosh u shfaq Anunoby që fitoi reboundin ofensiv për të shënuar koshin që e çoi rezultatin në 107-106 me 1.2 sekonda të mbetura nga fundi i ndeshjes. Tentativa e fundit e dëshpëruar e San Antonio nuk solli asgjë dhe në Madison Square Garden shpërtheu festa. Për New York, kjo është një ndër përmbysjet më të mëdha në rezultat të realizuara në historinë e Finaleve te NBA, një sukses që e afron skuadrën njujorkeze akoma më shumë me titullin. Për San Antonion, kjo humbje do të jetë e vështirë për ta gëlltitur duke qenë se e kishte këtë ndeshje në kontrollin e tij për të shpërdoruar më pas avantazhin maksimal prej 29 pikësh.

Top Channel