“Çelës bllokues”, Apple “ndryshon” pajiset, celularët e vjedhur do bëhen të pavlefshëm

11/06/2026 12:36

Tregtia e paligjshme e telefonave të vjedhur mund të përballet me një goditje të fortë pas vendimit të Apple për të forcuar masat e sigurisë në pajisjet e saj.

Gjiganti amerikan i teknologjisë premton të zbatojë në nivel global një sistem që mund t’i bëjë telefonat e vjedhur praktikisht të pavlefshëm për hajdutët dhe tregun e zi. Vendimi vjen pas një fushate të gjatë të autoriteteve britanike, të cilat kanë kërkuar prej kohësh masa më të forta kundër fenomenit të vjedhjes së telefonave inteligjentë.

Sipas policisë londineze, kryeqyteti britanik është shndërruar në një nga qendrat më problematike për këtë lloj krimi, me rreth 200 telefona të raportuar të vjedhur çdo ditë. Sistemi i ri i Apple funksionon si një lloj “çelësi bllokues”, i cili lejon që pajisja e vjedhur të çaktivizohet nga distanca dhe të bëhet e papërdorshme për këdo që nuk është pronari i saj. Në praktikë, telefoni kthehet në një pajisje pa vlerë tregtare, duke e bërë shumë më të vështirë shitjen ose riaktivizimin e tij.

Autoritetet britanike e kanë përshëndetur këtë hap si një zhvillim të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar që përfiton nga tregtia e pajisjeve të vjedhura. Komisioneri i Policisë Metropolitane të Londrës, Sir Mark Rowley, ka deklaruar se tashmë synohet zgjerimi i kësaj praktike edhe te prodhuesit e tjerë të telefonave celularë. Një nga propozimet e policisë është krijimi i një regjistri kombëtar të telefonave të vjedhur.

Ky sistem do t’u mundësonte operatorëve të telekomunikacionit dhe autoriteteve të shkëmbejnë të dhëna për pajisjet e raportuara si të vjedhura dhe të identifikojnë rastet kur ato tentojnë të rikthehen në rrjetet telefonike për t’u rishitur.

Top Channel