Sulmet amerikane ndaj Iranit, Teherani kërcënon me goditje më të ashpra: Nëse na shënjestroni sërish…

10/06/2026 08:21

Ushtria iraniane ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se do të përballet me “sulme edhe më të rënda dhe më të përhapura” nëse përsërit goditjet ndaj territorit iranian.

Paralajmërimi vjen pasi Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) konfirmoi se kreu sulme ndaj objektivave iraniane, të cilat Uashingtoni i cilësoi si veprime vetëmbrojtëse pas rrëzimit të një helikopteri ushtarak Apache.

Në kundërpërgjigje, Irani njoftoi se ka goditur objektiva të lidhura me forcat amerikane në Jordani dhe Kuvajt, ndërsa Bahreini raportoi gjithashtu tentativa sulmesh.

Në një deklaratë të transmetuar nga mediat shtetërore iraniane, Shtabi Qendror Khatam al Anbiya konfirmoi operacionet dhe paralajmëroi Uashingtonin për pasoja më të rënda në rast të sulmeve të tjera. “Ushtria amerikane duhet të dijë se nëse agresioni kundër Republikës Islamike të Iranit përsëritet, do të kryhen sulme edhe më të rënda dhe më të përhapura ndaj objektivave të përcaktuara në rajon”, thuhet në deklaratë.

Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit vijojnë të rriten, duke shtuar shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Top Channel