Aksident i rëndë me motor në Vlorë, i plagosuri transportohet me urgjencë në spital
Vdekja e legjendës së mundjes profesionale, Hulk Hogan, është konfirmuar zyrtarisht si pasojë e shkaqeve natyrore.
Përfundimi vjen nga raporti përfundimtar i Policisë së Clearwater në Florida, i cili mbyll hetimin për ndarjen nga jeta të ikonës së WWE-së në korrik të vitit 2025, në moshën 71-vjeçare.
Raporti prej 72 faqesh përfshin dëshmi të personave të pranishëm, të dhëna mjekësore, pamje nga kamerat e sigurisë dhe një inspektim të trupit. Sipas hetuesve, nuk është gjetur asnjë provë që sugjeron përfshirje kriminale ose rrethana të dyshimta në vdekjen e mundësit, emri i vërtetë i të cilit ishte Terry Bollea.
“Nuk ka asnjë provë që tregon se vdekja e Terry Bollea ishte diçka tjetër përveçse natyrale. Gjatë hetimit nuk u gjetën elementë që sugjerojnë vepër penale. Çështja konsiderohet e mbyllur dhe e zgjidhur”, thuhet në raport.
Sipas dokumenteve hetimore, Hogan kishte vuajtur nga një sërë problemesh serioze shëndetësore në javët para vdekjes, përfshirë leuçeminë, aritminë kardiake, pneumoninë dhe insuficiencën renale. Ai kishte kaluar gjithashtu disa ndërhyrje kirurgjikale dhe shtrime në spital gjatë viteve të fundit të jetës.
Në momentin kur ndaloi së marrë frymë, pranë tij ndodheshin bashkëshortja, Sky Daily Hogan, një infermiere kujdestare dhe një terapiste okupacionale. Sipas raportit, bashkëshortja telefonoi menjëherë shërbimin e emergjencës, ndërsa të treja kryen manovrat e reanimimit kardiopulmonar (CPR) deri në mbërritjen e ekipit mjekësor.
Menjëherë pas vdekjes së Hogan, një terapist kishte hedhur dyshimin se shkaku mund të lidhej me një dëmtim të nervit frenik gjatë një operacioni të mëparshëm. Megjithatë, ai e tërhoqi më vonë këtë deklaratë, duke pranuar se kishte folur në gjendje emocionale pas përpjekjeve për ta shpëtuar.
Mjeku ligjor lokal arriti më pas në përfundimin se Hogan kishte pësuar një atak në zemër, por nuk autorizoi kryerjen e një autopsie të plotë. Për këtë arsye, familja financoi një autopsi private, rezultatet e së cilës konfirmuan shkakun natyror të vdekjes dhe nuk gjetën asnjë element traumatik apo toksikologjik që mund të kishte ndikuar në humbjen e jetës së tij.
Hulk Hogan mbetet një nga figurat më të njohura dhe më të rëndësishme në historinë e mundjes profesionale, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në sportin dhe industrinë e argëtimit.
Top Channel