Përplasja kaotike në derbin Torino-Juventus, autoritetet italiane marrin masën drastike për tifozët e të dyja ekipeve

10/06/2026 14:41

Autoritetet italiane kanë vendosur masa të forta ndaj tifozëve të Torinos dhe Juventusit pas incidenteve të dhunshme që shoqëruan derbin e zhvilluar më 24 maj.

Me urdhër të Ministrisë së Brendshme italiane, tifozët e të dy klubeve do të ndalohen të ndjekin ndeshjet jashtë fushe për dhjetë javët e para të sezonit të ardhshëm, deri më 3 nëntor.

Masa parashikon mbylljen e sektorëve të tifozëve mysafirë në stadiumet ku Torino dhe Juventusi do të luajnë si skuadra udhëtuese, si dhe ndalimin e shitjes së biletave për banorët e rajoneve të prekura.

Për tifozët e Torinos, ndalimi vlen për banorët e rajonit të Piemontes, ndërsa për Juventusin kufizimi shtrihet si për banorët e Piemontes ashtu edhe për ata të Lombardisë.

Si pasojë, tifozët bardhezi nuk do të mund të ndjekin nga afër ndeshjet jashtë fushe kundër Frosinones, Sassuolos, Cagliarit dhe Genoas. Ndërkohë, tifozët e Torinos do të mungojnë në transfertat ndaj Sassuolos, Fiorentinës, Bolognës, Parmës dhe Frosinones.

Ky nuk është rasti i parë që tifozët e Torinos përballen me masa disiplinore. Edhe gjatë sezonit të kaluar u vendosën kufizime pas incidenteve të ndodhura në ndeshjen Torino-Verona të 11 prillit, duke ndaluar udhëtimet drejt Cremonës dhe Udines.

Zbatimi i vendimit do t’u lihet prefektëve të provincave ku do të zhvillohen ndeshjet, të cilët do të vlerësojnë çdo rast veçmas. Ende nuk është bërë e qartë nëse ndalimi do të përfshijë edhe ndeshjet miqësore të verës.

Tensionet shpërthyen disa orë para fillimit të derbit mes Torinos dhe Juventusit. Tifozë të Juventusit u përplasën me forcat e rendit, të cilat ishin vendosur për të shmangur kontaktet mes grupeve rivale të tifozëve.

Gjatë incidenteve, një tifoz i Juventusit, Marco Basoccu, u godit rëndë në kokë dhe u transportua në spital në gjendje kritike. Për shkak të trazirave, ndeshja nisi me një orë vonesë dhe tribunat mbetën pothuajse bosh, pasi grupet ultras të të dyja skuadrave bojkotuan takimin.

Basoccu u largua nga spitali disa ditë më parë, por deklaroi se nuk mbante mend asgjë nga ajo që kishte ndodhur gjatë incidenteve.

Top Channel