“Kush janë këta që thonë se Shqipëria është e jona, dëgjo popullin dhe ik”, Rama i përgjigjet protestuesve: Minimumi duhet të ulesh dhe të kërkosh transparencë

09/06/2026 21:13

Rama është i pranishëm në festimet e 35-vjetorit të PS në Fier, ku ka folur edhe në lidhje me protestën që mbahet në Tiranë dhe ka hyrë në ditën e 10-të të saj.

“Të mblidhesh sot dhe të kërkosh hesap për një projekt është gjëja më legjitime, por kjo bëhet duke u ulur dhe kërkuar transparencën që kërkon. Dikush që del në protestë dhe kërkon që unë të jem i butë, ka një minimum etik, që të nxjerrësh një grup njerëzish dhe të thuash: Hajde, ulu me këta ekspertë dhe trego çfarë do të bësh.

Jo me atë teknikën se nuk ka negociata, largohu. Kur del në protestë për flamengot, nuk mund të kërkosh të largohet qeveria. T’i kërkosh hesap në këtë formë një qeverie që e ka bërë Shqipërinë një vend që është vendosur në mbrojtje lumi i fundit i egër i Europës, Vjosa është Park Kombëtar dhe Narta e Vjosa nuk ka lidhje me projektin. Të thuash këto është guximi i atij që nuk ka turp. Kur ti e bën këtë për të manipuluar, është diçka që mund ta bësh, por me Edi Ramën dhe PS kjo nuk funksionon.

Këta nuk dinë as ku janë flamingot. Këta duan që të Austria, Zvicra dhe të tjerë, të bëjnë lekë me turizmin malor, këtu jo. Nëse të huajt nuk duhet të vijnë, oligarkët jo, atëherë si do të vijnë të ardhurat këtu. Zvërneci është i Vlorës, por proteston Tirana.

Përse nuk del Vlora? Kur them duhet të dilte Vlora, nuk e kam ballistat e mbetur në Vlorë, sepse edhe një që kishin që lidh shtatë fjalë bashkë, e sollën në parlament. Kryeqyteti i socialistëve është Fieri, ndërsa i pavarësisë është Vlora. Po do ta ngresh uraganin e PS shko në Fier, po do të ngulësh këmbë se Shqipëria nuk shitet, shko në Vlorë.

Vlonjatët nuk i bien gjatë, sepse po ta bënin nuk do nxirrnin heronj e dëshmorë, por blogerë. Nuk njoh blogerë nga Vlora. Investime aq të mëdha do t’i sjellim Shqipërisë, shumë shpejt do të shikoni një investim po aq të madh, mbase edhe më të madh diku mes Kavajës dhe Durrësit dhe do të shikojmë çfarë do të thoni për të.

Përse shqiptarët duhet të shohin me zili Greqinë, Kroacinë apo Malin e Zi, që është sa Fieri. Atje pagat ku e ku, pensionet, jeta ku e ku. Ne do të dëgjojmë llapaqorrat që e duan Shqipërinë për vete. Kush janë këta që thonë se Shqipëria është e jona, dëgjo popullin dhe ik? Populli flet kur i vjen dita të flasë dhe e ka zgjedhur këtë sistem.

Nuk thonë kot atë ditë heshtje zgjedhore, shkon populli dhe voton. Si është kjo? Ne këtu jemi më shumë se atje. Mblidhemi ne këtu dhe çfarë? Si është kjo? Sot flisja me ca gazetarë nga Europa, edhe ata të hutuar se u çmend bota. Rrinë të gjithë me gishtin në scroll.

Top Channel