Kthesë austriako-gjermane për Milanin/ Kuqezinjtë pranë marrëveshjes me Glasner dhe Rangnick, në skenë shfaqen dhe dy lojtarë të njohur

09/06/2026 11:34

Atmosfera në Milano është bërë e tensionuar pas humbjes ndaj Cagliarit, që i kushtoi Milanit kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Sipas raportimeve, pronarët e RedBird kanë nisur një riorganizim të thellë në klub.

Në këtë proces ndryshimesh, raportohet se drejtori sportiv, trajneri, CEO dhe drejtori teknik janë larguar nga postet e tyre, duke hapur një periudhë të re pasigurie për klubin kuqezi.

Megjithatë, ende nuk ka vendime përfundimtare për zëvendësimet, ndërsa drejtuesit e rinj të projektit mbeten për t’u përcaktuar.

Emri më i përfolur për stolin e Milanit është trajneri austriak Oliver Glasner. Ai ka shprehur interes për të marrë drejtimin e skuadrës, duke refuzuar disa alternativa të tjera në Europë.

Sipas burimeve, Glasner ka zhvilluar takime pozitive me përfaqësuesit amerikanë të klubit, ndërsa klubi kërkon një stil loje më agresiv me presing të lartë dhe rikuperim të menjëhershëm të topit.

Trajneri austriak vjen pas sukseseve të rëndësishme në Europë, përfshirë triumfin në Ligën e Konferencës me Crystal Palace dhe suksesin në Ligën e Evropës me Eintracht Frankfurt.

Në të njëjtën kohë, për rolin e drejtorit teknik përmendet gjermani Ralf Rangnick, i cili ka qenë më parë i lidhur me Milanin dhe ka bashkëpunuar në të kaluarën me Glasner.

Federata austriake i ka ofruar Glasnerit një kontratë të re afatgjatë, por ai mbetet i hapur për negociata me Milanin, duke e bërë të paqartë të ardhmen e tij.

Në skenë janë përmendur edhe emra të tjerë për pozicionet drejtuese, kryesisht nga tregu gjerman dhe ai austriak.

Ndryshimet në pankinë mund të ndikojnë edhe në merkato. Një nga emrat e përfolur është sulmuesi francez Jean-Philippe Mateta, i cili më parë ishte pranë Milanit.

Gjithashtu, në listë figuron edhe mbrojtësi austriak David Alaba, i cili është në përfundim të aventurës së tij te Real Madrid dhe ka lidhje të ngushta me Rangnick.

Megjithatë, për momentin gjithçka mbetet në fazë diskutimesh, ndërsa Milani po përgatitet për një verë të mbushur me ndryshime të mëdha strukturore.

Top Channel