“Gënjeshtër që investitorët sjellin punëtorë nga Bangladeshi me paga të ulëta”, Rama: S’ka prova që kapitali i huaj të luajë rol në shkatërrimin e natyrës

09/06/2026 12:08

Në Tiranë po zhvillohet Konferenca e 3-të Kombëtare e Arsimit dhe Formimit Profesional, ku po diskutohen rezultatet e reformës në këtë sektor, si dhe vizioni “Aftësi 2030” për zhvillimin e aftësive, rritjen e punësimit dhe forcimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama u ndal tek investimet e huaja pas protestave në vend, duke theksuar: ‘Nuk ka prova që kapitali i huaj të luajë rol në shkatërrimin e natyrës’.

Më tej kreu i qeverisë hodhi poshtë pretendimet që investitorët punësojnë punëtorë nga vende si Bangladeshi, Pakistani dhe Filipinet në mënyrë që të paguhen më pak.

Dua të prek këtu diçka që është bërë një nga barcaletat e ditëve të fundit, lidhur me një zhvillim që ka ngjallur një debat të madh; ideja që investitorët e huaj të vijnë në Shqipëri për të ndërtuar resorte, të cilat janë për shumë të pasurit dhe për punonjës nga Pakistani, nga Bangladeshi apo nga Filipinet sepse duan t’i paguajnë shumë pak, është një ide që nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Është gabim i madh që të flitet në këtë mënyrë edhe është një gënjeshtër e madhe që të mendohet në këtë mënyrë.

Së pari, ne, nuk është se kemi një numër të madh investitorësh të huaj në turizëm. Sapo ka filluar një interesim nga kapitali dhe nga sipërmarrja e huaj për Shqipërinë që lidhet me suksesin e Shqipërisë në turizëm.

Deri përpara disa vitesh, ne nuk kemi pasur asnjë interesim, zero nga kapitali i huaj dhe nga sipërmarrja e huaj për të investuar në turizmin shqiptar. Zero. Pse? Shqipëria ishte po kaq e bukur, natyra shqiptare ishte po kaq e bukur, virgjëria e saj ishte po kaq sa ç’është sot në ato zona ku nuk është investuar asgjë, nuk kishte asnjë interesim. I pari interesim që pastaj u materializua, ishte interesimi për Portin Turistik të Durrësit dhe mbas atij interesimi dhe mbasi u hap rruga e atij investimi, ka filluar të ngrihet interesi i kapitalit dhe i sipërmarrjes së huaj për të investuar në turizëm në Shqipëri. Pse? Sepse nuk kishte pikë besimi.

Ideja që kapitali i madh dhe që sipërmarrjet e mëdha shkojnë në vende të caktuara për të investuar në turizëm, për t’i shkatërruar ato vende dhe për të shfrytëzuar një krah pune të lirë, është një ide e lindur nga padija totale sepse është e kundërta.

Nuk ka prova që kapitali i huaj dhe sipërmarrja prestigjioze ndërkombëtare të ketë luajtur rol në shkatërrimin e natyrës apo të jetë shkaktarja kryesore e dëmeve që janë bërë mjedisit. E kundërta është e vërtetë“, tha Rama.

Top Channel