Milani në kërkim të zëvendësuesit të Tares, një tjetër gjerman del në skenë pas Ralf Rangnick

08/06/2026 13:41

Milani po përballet me një rindërtim të ngadaltë dhe të vështirë pas largimit të drejtorit sportiv Igli Tare.

Menaxhmenti i klubit kuqezinj po analizon CV-të e ndryshme për të krijuar një ekip drejtuesish që do të rigjallërojë Rossonerët.

Një nga kandidatët kryesorë për postin e drejtorit sportiv është gjermani Devin Ozek, 31-vjeçar, i cili u largua së fundmi nga Fenerbahçe. I lindur në vitin 1995, Ozek ka një përvojë të pasur ndërkombëtare, duke filluar karrierën si futbollist në ligat e ulëta gjermane dhe më pas duke u përfshirë në menaxhimin sportiv.

Në vitin 2021, ai iu bashkua Bayer Leverkusen si skaut dhe më pas si ndihmës i drejtorit sportiv Simon Rolfes, duke ndihmuar në ndërtimin e ekipit që fitoi Bundesligën dhe arriti në finalen e Europa League. Kjo eksperiencë e solli në vëmendjen e klubeve të mëdha, përfshirë Fenerbahçen, ku shërbeu si drejtor sportiv nga qershori 2025 deri më 1 maj 2026.

Tani, Ozek ka mundësinë të vazhdojë karrierën e tij te Milani, i cili e ka synuar seriozisht, edhe pse ende nuk ka pasur kontakte zyrtare midis palëve. 31-vjeçari mban edhe një licencë trajneri dhe flet tre gjuhë të huaja, duke u përshtatur me vizionin ndërkombëtar të klubit.

Kuqezinjtë janë gjithashtu në bisedime me trajnerin austriak Glasner dhe Ralf Rangnick, i cili mund të marrë rolin e drejtorit teknik të Milanit.

Milani duket se po ndërton një strukturë të re sportive që synon të rikthejë skuadrën në nivelin më të lartë europian.

Top Channel