Bota e basketbollit është në zi pas lajmit për ndarjen nga jeta të ish-kampionit të NBA-së dhe komentatorit të njohur sportiv, Stacey King, në moshën 59-vjeçare.

King ishte një nga figurat më të dashura në historinë e Chicago Bulls, ku fitoi tre tituj kampionë të NBA-së si pjesë e skuadrës legjendare të udhëhequr nga Michael Jordan gjatë viteve të arta të klubit.

Shkaku i vdekjes nuk është bërë ende i ditur. Pas karrierës së tij si basketbollist, King u shndërrua në një nga zërat më të njohur të basketbollit amerikan, duke komentuar ndeshjet e Bulls për më shumë se dy dekada dhe duke fituar zemrat e tifozëve me humorin, energjinë dhe stilin e tij karakteristik.

Në tetë sezone në NBA, King regjistroi mesatarisht 6.4 pikë dhe 3.3 kërcime për ndeshje, ndërsa luajti edhe për skuadra si Minnesota Timberwolves, Miami Heat, Boston Celtics dhe Dallas Mavericks.

Mesazhet e ngushëllimit kanë vërshuar nga e gjithë familja e Bulls. Pronari i klubit, Jerry Reinsdorf, e cilësoi King si një nga personalitetet më unike në historinë e organizatës.

“Stacey King ishte një anëtar i çmuar i familjes Bulls. Ai solli gëzim, energji, humor dhe pasion në organizatën tonë dhe do të na mungojë shumë”, tha Reinsdorf.

Edhe presidenti i klubit, Michael Reinsdorf, vlerësoi ndikimin e tij të jashtëzakonshëm te tifozët dhe komuniteti i basketbollit.

Para se të shkëlqente në NBA, King ishte një nga lojtarët më të mirë në historinë e universitetit University of Oklahoma, duke udhëhequr ekipin drejt finales kombëtare në vitin 1988. Në vitin 2008, universiteti tërhoqi fanellën e tij me numrin 33 në nder të kontributit të tij.

Top Channel