Marc Marquez realizon një dopietë me peshë në Hungari. Në Balaton Park, piloti spanjoll i Ducatit, pas suksesit në Garën Sprint, triumfoi edhe në garën e plotë të kësaj të diele duke regjistruar fitoren e tij të 100 në karrierë e për më tepër falë edhe tërheqjes së Bezzecchit, katalanasi rihyn në garën për titullin botëror.

Në garën e kësaj të diele, Marquez u bë protagonist i një dueli së bashku me Pedro Acostën dhe në fund arriti të kalojë i pari vijën e finishit, ndërsa bashkëkombasi i tij e shtyu takimin me fitoren e parë të tij dhe u detyrua të kënaqej me vendin e dytë. Ndërsa dy pilotët spanjolle u përfshinë në një duel mes tyre për fitoren e garës hungaeze, Francesco Bagnaia ishte i qetë në vendin e tretë duke u ngjitur në këtë mënyrë në shkallën e fundit të podiumit.

Ndërsa për kryesuesin e kampionatit, Marco Bezzecchi, gara u mbyll që në kthesën e parë dhe fajin për këtë e kishte shoku i tij i skuadrës Jorge Martin, me gabimin e tij në frenim duke shkaktuar një incident që përfshiu edhe  Fermin Aldeguer, Raul Fernandez dhe Fabio Di Giannantonio. Për fat të mirë, incidenti nuk pati pasoja për asnjë prej pilotëve dhe në fund vetëm Di Giannantonio u rikthye në garë dhe pasi humbi shumë kohë u detyrua të kënaqej me hyrjen në zonën e pikëve. Kështu me një lëvizje të vetme, gara humbi 3 pilotët e vendeve të para në renditjen e përgjithshme, që gjithsesi i ruajnë pozicionet e tyre, por që tani shohin të kërcënohen nga Acosta dhe Marquez

Një betejë e madhe u bë për vendet jashtë podiumit. Vendin e katërt e fitoi Ai Ogura, me japonezin që kaloi në fund Luca Marinin të pozicionuar në vendin e pestë. Dhjetëshen më të mirë të garës e plotësuan Diogo Moreira, Iker Lecuona, Jack Miller, Enea Bastianini dhe Brad Binder.

Top Channel