Formula 1/ Ferrari, Drejtori i skuderisë shtrohet në spital: Është nën monitorim, nuk do të jetë në pistë
E pabesueshme ishte ajo që ndodhi në ndeshjen e dytë në Finalen e Madhe të NBA, New York Knicks fitoi sërish ndaj San Antonios dhe merr kryesimin në 2-0 në serinë e ndeshjeve me teksanët. Këtë radhë skuadra njujorkeze e fitoi ndeshjen me rezultatin 105-104 pas një minutë të fundit të çmendur e vendosur nga gjuajtja e lirë e realizuar nga Brunson që shfrytëzoi një gabim trashanik në tranzicion të Wembanyama.
Sfida ishte e ekuilibruar gjatë gjithë kohës dhe këtë e tregojnë edhe rezultatet e pjesshme. Ekipet shkuan në pushimin e ndeshjes me avantazhin 56-52 të New York, një rezultat që u duk se u thellua në periodën e tretë, teksa rezultati shkoi në 84-75. Por gjithçka mbeti në ekuilibër dhe në minutën e fundit ndodh gjithçka dhe protagonistët janë pikërisht Victor Wembanyama dhe Jalen Brunson.
Gjithçka nis me një gjuajtje të lirë të francezit që e çon rezultatin në 104-102, por pergjigjja e New York ishte e menjëhershme dhe shifrat u barazuan në 104-104. Kur kishin mbetur 10 sekonda nga fundi i sfidës, Wembanyama bëri një gabim trashanik, u përpoq të pasonte te Castle, por ky i fundit ishte me shpinë dhe nuk e pa pasimin, topi përfundoi në shpinën e tij dhe u rikuperua pikërisht nga Brunson që pësoi faull nga Wembanyama. Basketbollisti shkoi në vijën e gjuajtjeve të lira ku realizoi një nga të dy gjuajtjet, ndërsa më pas Spurs bëri tentativën e dëshpëruar për gjuajtjen nga tre pikë, por pa sukses.
Në fund festoi New Yorku që merr në këtë mënyrë avantazhin 2-0 në serinë e ndeshjeve e cila do të spostohet në Madison Square Garden ku do të zhvillohen ndeshja e tretë dhe e katërt, sfida këto që do të jenë vendimtare me skuadrën e Knicks që kanë shansin të fitojnë titullin kampion të NBA që mungon prej 53 vitesh.
Top Channel