Publikohet kalendari i Serie A për sezonin e ri, ja cilat data do të luhet derbi Milan-Inter

05/06/2026 21:03

Është prezantuar zyrtarisht kalendari i sezonit të ri të Serie A 2026/27, i cili u zbulua në Teatrin Regio di Parma, në kuadër të Festivalit të Serie A.

Sezoni i ri i kampionatit italian do të nisë më 23 gusht 2026 dhe do të përfundojë në fundjavën e 29-30 majit 2027, ndërsa tashmë janë bërë publike edhe përplasjet e javës së parë.

Java e parë sjell disa sfida interesante, me kampionët në fuqi që do ta nisin sezonin në shtëpi. Interi do të presë Monzën në “San Siro”, ndërsa Napoli do të luajë në transfertë ndaj Genoas. Juventusi nis sezonin në fushën e Frosinones, Milani do të udhëtojë në Torino përballë Torinos, ndërsa Roma pret Fiorentinën në “Olimpico”.

Ndeshjet e tjera të javës së parë janë: Atalanta–Sassuolo, Bologna–Lazio, Parma–Cagliari, Udinese–Como dhe Venezia–Leçe.

Ndërkohë derbi Milan-Inter do të luhet më 1 nëntor ndeshjen e parë, me kuqezinjtë si pritës, ndërsa e kthimit më 14 shkurt.

Kalendari i sezonit të ri do të jetë i ndikuar edhe nga ndryshimet në programin e ndeshjeve ndërkombëtare. Sipas rregullave të reja, sosta e parë e kombëtareve do të bëjë që të shtyhen dy javë kampionat, konkretisht ato të 27 shtatorit dhe 4 tetorit. Ndërsa dy pushimet e tjera do të zhvillohen në mes të nëntorit dhe në fund të marsit, sipas formatit klasik.

Gjithashtu janë planifikuar dy ndeshje të mesjavës, më 28 tetor 2026 dhe 6 janar 2027, si dhe një pushim gjatë periudhës së Krishtlindjeve, më 26 dhe 27 dhjetor.

Top Channel