“Henry nuk vdiq me dinjitet”, këto ishin fjalët e babait te Henry Nowak që përcollën të gjithë tragjedinë e familjes se 18-vjeçarit, rrethanat e vrasjes së të cilit janë kthyer në katalizatorin e protestave të dhunshme në Britaninë e Madhe.
Ngjarja ndodhi dhjetorin e 2025-sës në Southampton. Studenti po kthehej në shtëpi pas një mbrëmjeje me miqtë, kur gjatë rrugës u përball me 23-vjeçarin Vickrum Digwa, i cili e sulmoi me një thikë ceremoniale të tipit kirpan, duke e goditur pesë herë, përfshirë një plagë fatale në kraharor. I riu u përpoq të largohej dhe madje kaloi një gardh për t’i shpëtuar sulmuesit, por humbi shumë gjak.
Kur policia mbërriti në vendngjarje, Digwa u tha oficerëve se në fakt ai kishte qenë viktimë e e një sulmi racist dhe se kishte vepruar në vetëmbrojtje. Hetimet dhe gjyqi më vonë konstatuan se këto pretendime ishin të rreme. Së fundi, janë publikuar pamjet e kamerave trupore të efektivëve, të cilët tregojnë se 18-vjeçari i shtrirë në tokë dhe i plagosur rëndë, u thoshte vazhdimisht policëve: “Më kanë goditur me thikë” dhe “Nuk po marr frymë”, por ata e trajtuan atë si të dyshuar dhe i vunë prangat, pa e kuptuar seriozitetin e plagëve të tij. Pak minuta më vonë, Nowak humbi ndjenjat dhe vdiq në vendngjarje. Protestuesit tani kërkojnë drejtësi.
“Kjo nuk është vetëm për Henry-n. Henry mund të kishte qenë djali juaj. Mund të kishte qenë fëmija juaj. Kjo gjë ka shkuar shumë larg në këtë vend. Në çdo qytet, e në çdo fshat, të bardhët po trajtohen si qytetarë të dorës së dytë nga vetë qeveria jonë, nga vetë policia jonë”, u shpreh aktivisti Tommy Robinson.
Në gjyq, Digwa u shpall fajtor për vrasje dhe u dënua me burgim të përjetshëm, me një minimum prej 21 vitesh para se të mund të kërkojë lirim me kusht. Gjykata rrëzoi pretendimin e tij se kishte vepruar në vetëmbrojtje.
Nëna e tij u dënua gjithashtu për fshehjen e armës së krimit. Rasti shkaktoi zemërim të madh në Britani, jo vetëm për vetë vrasjen, por edhe për mënyrën se si reagoi policia. Pas publikimit të pamjeve, kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se ekzistojnë “pyetje serioze” mbi veprimet e forcave te rendit, ndërsa është hapur një hetim i pavarur për sjelljen e efektiveve në vendngjarje.
Top Channel