Forcat amerikane kanë arritur të ndalojnë me sukses një breshëri raketash raketa balistike dhe dronësh iranianë gjatë incidenteve të fundit në Lindjen e Mesme.
Komanda Qendrore e SHBA-së, CENTCOM, njoftoi se tre raketa të drejtuara nga Irani drejt Bahrejnit u penguan nga sistemet e mbrojtjes ajrore amerikane dhe ato të Bahrejnit. Ndërsa dy të tjera që kishin në shënjestër Kuvajtin ranë gjatë fluturimit ose u shkatërruan në ajër. CENTCOM raportoi gjithashtu se tre dronë sulmues iranianë, që shënjestronin anijet civile në ujërat rajonale, u rrëzuan nga forcat amerikane.
Në përgjigje, SHBA-ja kryen “sulme vetëmbrojtëse” ndaj një stacioni ushtarak në ishullin Keshm të Iranit, në Ngushticën e Hormuzit. Autoritetet amerikane theksuan se nuk ka pasur të lënduar dhe hodhën poshtë pretendimet e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit për goditje të bazave amerikane.
Një valë tjetër dronësh iranianë u pengua më vonë në Kuvajt, pa shkaktuar dëme ose viktima, ndërsa ushtria e Kuvajtit tha se po konfronton raketa armiqësore dhe sulme me dronë. Banorëve u është kërkuar të mos prekin copëzat e fluturakeve të rrëzuara ose predha të paidentifikuara.
Sulmet e fundit pasojnë një seri incidentesh të ngjashme, ndërsa SHBA-ja dhe Irani zhvillojnë bisedime indirekte për zgjatjen e armëpushimit të vendosur që nga prilli dhe për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, e cila mbetet e mbyllur që nga fillimi i konfliktit në fund të shkurtit. Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi një ditë më parë se beson që një marrëveshje me Iranin mund të arrihet javën e ardhshme.
Top Channel