Milani në “hall” për trajner, Pochettino lë të hapur mundësinë për të drejtuar kuqezinjtë: Kam takuar njerëz nga klube të ndryshme, por…

02/06/2026 22:47

Trajneri i kombëtares së Shteteve të Bashkuara, Mauricio Pochettino, ka lënë të hapur mundësinë e një transferimi te Milani pas përfundimit të Kupës së Botës, duke pranuar se përfaqësuesit e tij janë në kontakt me klube të ndryshme.

Gjatë një konference për shtyp në Fayetteville të Georgia-s, ku SHBA po përgatitet për Botërorin që do të zhvillohet në vendin e saj, tekniku argjentinas u pyet drejtpërdrejt për zërat që e lidhin me stolin e kuqezinjve.

“A kanë folur agjentët e mi me Milanin? Është e mundur, sepse ata duhet të bëjnë punën e tyre. Kontrata ime përfundon në korrik, pas Kupës së Botës. Natyrisht që marrim oferta dhe kam takuar njerëz nga klube të ndryshme, por këto janë vetëm biseda”, deklaroi Pochettino.

Ish-trajneri i Tottenhamit, PSG-së dhe Chelseat theksoi se në futboll është normale të ketë kontakte dhe diskutime për të ardhmen, sidomos kur kontrata po i afrohet fundit.

Megjithatë, Pochettino hodhi poshtë çdo dyshim mbi përkushtimin e tij ndaj kombëtares amerikane, pas komenteve që sugjeronin se ai mund të jetë më i fokusuar te e ardhmja sesa te Botërori.

“Njerëzit që vënë në dyshim angazhimin tim thjesht po përpiqen të krijojnë probleme. Ne jemi plotësisht të përqendruar te Kupa e Botës”, u shpreh ai.

Pavarësisht deklaratave të tij, emri i Pochettinos vazhdon të qarkullojë mes kandidatëve për stolin e Milanit, ndërsa drejtuesit e klubit italian po vlerësojnë alternativat për projektin e ri teknik. Konkurrenca për firmën e argjentinasit mbetet e fortë, por mundësia e një kalimi në “San Siro” nuk përjashtohet.

Top Channel