Milani e ka gati zgjedhjen e parë për trajnerin e ri, kuqezinjtë presin teknikun që fitoi trofeun europian këtë sezon

02/06/2026 18:22

E ardhmja e Oliver Glasner mund të jetë në Itali. Trajneri austriak është larguar zyrtarisht nga Crystal Palace, duke i dhënë fund aventurës së tij dyvjeçare në Angli, ndërsa emri i tij vazhdon të lidhet ngushtë me stolin e Milanit.

Klubi londinez i dha lamtumirën teknikut me një video të publikuar në rrjetet sociale, ndërsa vetë Glasner u përshëndet me tifozët përmes një letre emocionuese, ku falënderoi klubin për periudhën e suksesshme që kulmoi me fitimin e tre trofeve, mes tyre edhe Ligën e Konferencës.

Largimi i tij ka shtuar menjëherë spekulimet për një kalim te Milani. Sipas raportimeve, Glasner konsiderohet si kandidati favorit i Ralf Rangnick për të marrë drejtimin e kuqezinjve në rast se gjermani do të marrë një rol drejtues në klubin italian.

Në letrën e tij të lamtumirës, austriaku vlerësoi atmosferën unike të krijuar nga tifozët e Crystal Palace dhe lidhjen e fortë që u ndërtua mes ekipit, stafit dhe komunitetit gjatë viteve të fundit.

“Mbërrita në Selhurst Park si një i huaj, por po largohem duke u ndjerë si një londinez i vërtetë jugor”, shkroi Glasner, duke theksuar se kujtimet e krijuara në klub do ta shoqërojnë për gjithë jetën.

Tekniku 51-vjeçar u shpreh krenar jo vetëm për trofetë e fituar, por mbi të gjitha për mentalitetin dhe unitetin që ndërtoi skuadra e tij, e cila arriti të rivalizojë me ekipet më të forta në Angli dhe në Evropë.

Tashmë, pas mbylljes së aventurës në Londër, vëmendja është zhvendosur te Milani, ku Glasner shihet si një nga emrat më të nxehtë për të drejtuar projektin e ri të kuqezinjve për sezonin e ardhshëm.

Top Channel