Poezi nën yje, Kalaja e Lezhës mirëpret poetë e artdashës në një mbrëmje letrare

01/06/2026 12:59

Nën dritën e yjeve dhe mes mureve shekullore të Kalasë së Lezhës, poezia mori jetë në një mbrëmje të veçantë kushtuar artit dhe letërsisë.

Në ballkonin panoramik të kalasë, poetë, shkrimtarë dhe artdashës nga Lezha dhe qytete të tjera të vendit u bënë pjesë e aktivitetit “Poezi nën Yje”, duke sjellë për publikun emocione, vargje dhe reflektime artistike në një atmosferë unike.

Poezitë e autorëve pjesëmarrës u ndërthurën me tingujt e muzikës dhe shijen e verës, duke krijuar një mjedis të ngrohtë e frymëzues, ku fjala artistike u kthye në urë komunikimi mes krijuesve dhe publikut.

Pjesëmarrësit vlerësuan organizimin e kësaj mbrëmjeje, duke theksuar rëndësinë e aktiviteteve të tilla për promovimin e letërsisë dhe ruajtjen e traditës poetike që Lezha e ka kultivuar ndër vite.

Drejtori i Kulturës në Bashkinë Lezhë, Keler Sufja, u shpreh se synimi i këtyre aktiviteteve është të nxisin interesin e brezit të ri për poezinë, letërsinë dhe vlerat kulturore që identifikojnë qytetin.

Mbrëmja poetike, e organizuar nga Bashkia Lezhë në bashkëpunim me Klubin e Letrave “Ndoc Gjetja”, zgjati rreth 90 minuta, duke u kthyer në një festë të fjalës artistike dhe kulturës në zemër të një prej monumenteve më simbolike të qytetit, Kalasë së Lezhës.

Top Channel