Marco Bezzecchi triumfon në ndalesën e radhës së Botërorit të MotoGP, në Çmimin e Madh të Italisë duke regjistruar fitoren e 4-t sezonale.

Piloti i Aprilias arriti të kalojë i pari vijën e finishit në pistën e Mugellos duke lënë pas pikërisht Jorge Martin, një rezultat ky që i jep mundësinë liderit aktual të këtij kampionati t’i shkëputet sërish pilotit spanjoll në klasifikimin e përgjithshëm.

Për Bezzecchin kjo është fitorja e tij e parë në tokën toskane dhe e 10 në total në klasin mbretëror të botërorit. Në vendin e dytë në këtë garë u pozicionua pikërisht Jorge Martin edhe ky me Aprilia, ndërkohë që në podium u ngjit Francesco Bagnaia me Ducatin zyrtar duke plotësuar kështu podiumin e garës italiane.

Menjëherë pas pilotit italian të Ducatit zyrtar u rendit Ai Ogura, në vendin e katërt i pasuar nga Fabio Di Giannantonio në të pestin. Kampioni i botës në fuqi Marc Marquez që u rikthye të garojë pas 3 javësh nuk shkoi më shumë se vendi i shtatë pas Pedro Acostës. Fituesi i Garës Sprint të shtunën Raul Fernandez bëri një gabim që në fillim në tentativë për të kaluar Bezzecchin dhe zbriti në vendet e fundit, për të mbyllur më pas garën në vendin e 8, ndërkohë që dhjetëshen më të mirë e plotësuan Fermin Aldeguer dhe Diogo Moreira

Pas përfundimit të Çmimit të Madh të Italisë, klasifikimi i përgjithshëm për pilotë kryesohet nga Marco Bezzecchi me 173 pikë, 16 më shumë se Jorge Martin i vendit të dytë. Ndërsa në vendin e tretë vazhdon të jetë Di Giannantonio me 134 pikë

Top Channel