Tregu i shumicës së frutave dhe perimeve në Lushnjë, i njohur si nyja kryesore e furnizimit për të gjithë Shqipërinë, po përballet me luhatje të ndjeshme të çmimeve në këtë prag sezoni.
Ndërsa prodhimet e bollshme të fushës së Myzeqesë po tregtohen me vlera mjaft të ulëta që favorizojnë blerësit, por rëndojnë fermerët, produktet e importit kanë shënuar rritje.
Sipas një vëzhgimi në terren, rritja e temperaturave dhe hyrja në sezon e prodhimit vendas ka sjellë ulje të çmimit për disa nga kulturat kryesore. Domatja dhe sallatori kanë pësuar ulje të ndjeshme këtë periudhë, duke u tregtuar në shumicë me vetëm 30 lekë për kilogram.
Me çmime të ulëta dhe relativisht të stabilizuara paraqiten edhe produktet e tjera bazë të shportës, ku qepa shitet me 40 lekë/kg dhe patatja me 50 lekë/kg. Nga ana tjetër, speci i stinës ka pësuar një rënie të lehtë, duke u shitur me 60 lekë/kg.
Sa i përket frutave që po dominojnë tregun, nektarinat luhaten mes 50 deri në 60 lekë/kg, ndërsa shalqiri, i cili ka nisur të vjelet në masë në zonat e ngrohta, po shitet aktualisht me 70 lekë për kilogram në shumicë.
Fruti që ka pësuar më shumë rritje çmimi është limoni, ku çmimi për këtë produkt ka arritur deri në 150 lekë.
Ajo që pritet është shtimi i prodhimit vendas, çka do të sjellë edhe ulje të mëtejshme të çmimeve.
Top Channel