Ministri Hoxha pritet në Romë nga zv.kryeministri Tajani: Italia, një nga mbështetëset më të forta të së ardhmes evropiane të Shqipërisë

29/05/2026 12:26

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u prit sot nga zv.kryeministri italian, Antonio Tajani.

Në një postim në X ministri Hoxha shprehu se Italia ka qenë dhe është një nga mbështetëset më të forta të të ardhmes evropianë të Shqipërisë.

Postimi i plotë i ministrit Ferit Hoxha:

Ishte një kënaqësi e veçantë të zhvilloja takimin tim të parë zyrtar në Romë, në Palazzo della Farnesina, me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani.

Rikonfirmuam partneritetin e shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Italisë, të bazuar në lidhje të thella historike, në miqësinë e ngushtë mes popujve tanë dhe në një vizion strategjik të përbashkët për të ardhmen. Pak partneritete janë kaq të thella dhe kaq mirë të strukturuara sa partneriteti ynë!

Bisedimet tona konfirmuan nivelin e lartë të bashkëpunimit në një gamë të gjerë fushash, përfshirë dialogun politik, integrimin evropian, sigurinë, mbrojtjen, migracionin, lidhshmërinë, energjinë, ekonominë, turizmin, kulturën dhe lidhjet mes njerëzve. Italia mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe një investitor strategjik në sektorët prioritarë.

Shpreha mirënjohjen e sinqertë të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Italisë ndaj procesit tonë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe për rolin e saj të vazhdueshëm si një nga mbështetëset më të forta të së ardhmes evropiane të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.

Së bashku, mbetemi të angazhuar për të forcuar më tej partneritetin tonë strategjik, në dobi të qytetarëve tanë, stabilitetit rajonal dhe një Evrope më të fortë.

Faleminderit, Ministër @Antonio_Tajani dhe i dashur Antonio, për mikpritjen e ngrohtë dhe për diskutimet shumë të frytshme që zhvilluam.

Top Channel