Dea Film rikthen kinemanë, 40 filma nga 25 vende, festivali synon të afrojë publikun me kinemanë

29/05/2026 15:30

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dea Open Air rikthehet në edicionin e 13-të në datat 1-5 qershor, nën moton “Qiell i hapur, mendje të hapura”, që synon të afrojë publikun me kinemanë.

“Ky festival tenton të kontribuojë në një vend ku nuk kemi rrjet kinemash, por edhe për faktin se qëllimi është kthimi i spektatorit në kinema, dhe jo vetëm prezantimi i filmave. Kinemaja të bën të mendosh, të emocionon…”, tha Edmond Topi.

Pjesë e këtij edicioni të 13-të janë 40 filma nga 25 vende.

“Jemi me autorë që fokusohen te temat universale, por edhe te sfidat që njerëzimi ka kaluar dhe po vazhdon të kalojë. Kemi një shpërndarje të madhe gjeografike, nga Kina në Kirgistan, Europë, SHBA”, tha Mirela Oktrova.

Por vihet re mungesa e filmit shqip. Pse mungojnë produksionet vendase në Dea Film Festival?

“Nuk besoj se vlen t’i lutesh një producenti apo një regjisori për ta sjellë filmin në festival. Të gjithë duan të dalin jashtë shtetit. Më vjen keq ta them, por nuk kemi prurje të filmit shqiptar”, tha Edmond Topi.

Megjithatë, në festival futet programi për studentët, që do të kenë mundësinë të punojnë në terren, të realizojnë intervista dhe skena filmike në hapësira të ndryshme të Tiranës, me qëllim krijimin e një ure komunikimi midis qytetit, kinemasë dhe brezit të ri të autorëve.

“Do të kemi dy shkolla që kanë rënë dakord me ne të xhirojnë filma këto katër ditë. Të gjithë studentët, nëse duan, mund të ndjekin takimet me regjisorët dhe producentët që do të vijnë këtu”, tha Edmond Topi.

Këto krijime do të shfaqen si një dëshmi e energjisë krijuese të studentëve dhe e potencialit të bashkëpunimeve artistike rajonale, duke sjellë një portret intim, poetik dhe bashkëkohor të Tiranës.

Top Channel