Irani dhe SHBA bien dakord edhe për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, çfarë po ndodh me memorandumin e mirëkuptimit
Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mbeten të tensionuara pavarësisht armëpushimit që ka hyrë në javën e tetë, ndërsa paralajmërimet për rikthim në luftë vazhdojnë të shoqërojnë negociatat diplomatike mes dy vendeve.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të mërkurën se nuk është ende i kënaqur me kushtet e marrëveshjes që po negociohet me Teheranin, duke paralajmëruar se dështimi i Iranit për të bërë lëshime mund të sjellë rikthim të konfliktit ushtarak.
Tensionet u rritën sërish këtë javë pasi Irani akuzoi SHBA-në për sulme të reja, përfshirë një operacion në qytetin portual Bandar Abbas. Teherani reagoi duke paralajmëruar se “agresioni nuk do të mbetet pa përgjigje”, ndërsa Garda Revolucionare Islamike njoftoi se kishte shënjestruar një bazë ajrore amerikane. Komanda Qendrore Amerikane konfirmoi më vonë se një raketë balistike iraniane ishte interceptuar mbi Kuvajt.
Në anakizën e saj, BBC shkruan se të dyja palët duket se po shmangin një përshkallëzim të plotë ushtarak, ndryshe nga pesë javët intensive të konfliktit kur SHBA-ja dhe Izraeli kryen mijëra sulme ajrore ndaj objektivave iraniane, ndërsa Teherani reagoi me raketa dhe dronë kundër bazave amerikane dhe Izraelit.
Në sfond vazhdojnë negociatat diplomatike, të ndërmjetësuara kryesisht nga Pakistani dhe Omani. Media shtetërore iraniane publikoi detaje të një drafti jozyrtar me 14 pika, ku kërkohet heqja e bllokadës detare ndaj porteve iraniane, tërheqja e forcave amerikane nga rajoni dhe kontrolli i trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit nga Irani dhe Omani.
Shtëpia e Bardhë e hodhi poshtë dokumentin duke e cilësuar “trillim të plotë”, ndërsa Trump deklaroi se Irani duhet të japë “atë që duhet të japë” për të shmangur rikthimin e luftës.
Në të njëjtën kohë, Departamenti Amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj “Autoritetit të Ngushticës së Gjirit Persik”, një strukturë e krijuar nga Teherani për të menaxhuar trafikun në Ngushticën e Hormuzit.
Analistët vlerësojnë se, pavarësisht retorikës agresive dhe incidenteve të fundit, as Uashingtoni dhe as Teherani nuk duken të gatshëm për një luftë të re të plotë. Megjithatë, mosmarrëveshjet mbi programin bërthamor iranian, sanksionet ekonomike dhe kontrollin strategjik të Gjirit vazhdojnë ta mbajnë rajonin në tension të lartë.
Top Channel