Më shumë kredi në muajin prill/ Bizneset rritën kërkesat për investime, nga ana tjetër individët shtuan kursimet

28/05/2026 19:44

Kredia për ekonominë është rikthyer në rritje gjatë muajit prill, duke sinjalizuar një shtim të financimit për bizneset dhe qytetarët. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, huamarrja është nxitur kryesisht nga kreditë për bizneset, por edhe nga kërkesa e familjeve për blerje banesash dhe konsum.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vetëm gjatë muajit prill bankat kanë disbursuar rreth 39.1 miliardë lekë kredi, ose 18.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa në 4 muaj u dhanë gjithsej rreth 137.7 miliardë lekëve, në rritje me 6.1% krahasuar me një vit më parë.

Teksa bizneset po kërkojnë më shumë financim për investime dhe zgjerim aktiviteti duke e çuar kredinë e re të marrë në 92.8 miliardë lekë, individët po orientohen drejt kredive afatgjata, kryesisht për prona duke arritur në 44.2 miliardë lekë kredi të re në 4 muaj, 3% më shumë. Një rritje e ngadaltë krahasuar me një vit më parë.

Paralelisht me kreditë edhe depozitat iu rikthyen rritjes gjatë prillit. Kursimet në banka arritën në rreth 1.5 trilionë lekë, me një zgjerim më të fortë të depozitave në monedhën vendase. Sipas Bankës së Shqipërisë, pjesa më e madhe e kursimeve vijon të përqendrohet në Tiranë.

Zhvillimet e muajit prill tregojnë se sektori bankar po vijon të zgjerojë rolin e tij në ekonomi, si për financimin përmes kredive, ashtu edhe për mbajtjen e kursimeve të shqiptarëve.

Top Channel