Lejuan ndërtimin e 3 kateve pa leje në një hotel, lënë qelinë efektivët e arrestuar. Pronari mbetet ende në burg

28/05/2026 17:36

Gjykata e Sarandës ka ndryshuar masat e sigurisë për dy punonjës të Policisë së Shtetit, duke i kaluar nga “arrest me burg” në “arrest në shtëpi”, në kuadër të hetimeve për operacionin e zhvilluar më 15 maj 2026 në qytetin e Sarandës.

Sipas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, masa “arrest në shtëpi” mbetet në fuqi për Blerim Tafçiun, i cili po hetohet për veprën penale “Shpërdorim detyre”, kryer më shumë se një herë. Ndërkohë, për biznesmenin e Hotel Oasis, gjykata ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kishte ekzekutuar vendimet gjyqësore ndaj tre punonjësve të policisë, të cilët janë zyrtarisht nën hetim për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Në kuadër të këtij procedimi penal, fillimisht u caktuan masat “arrest me burg” për Kristofor Shkrepën dhe Kastriot Sotkën, të dyshuar për “Shpërdorim detyre”, kryer më shumë se një herë, ndërsa për Blerim Tafçiun u vendos masa “arrest në shtëpi”.

Pas shqyrtimit në gjykatë, për dy efektivët është vendosur ndryshimi i masës së sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest në shtëpi”.

Top Channel