10 mijë aplikime për subvencione, fermerët nxitojnë, afati deri më 25 qershor

26/05/2026 15:12

Të gjithë fermerët që duan të përfitojnë subvencione nga Skema Kombëtare kanë kohë deri më 25 qershor, e pavarësisht kësaj një numër i lartë fermerësh kanë preferuar që aplikimin ta bëjnë që në 24-orëshin e parë, duke bërë që numri i aplikimeve të shkojë në 10 mijë.

Adem Lushi ka ardhur nga fshati Domje pranë zyrave AREB Tiranë për të qenë pjesë e skemës mbështetëse për të imtat.

“Kam ardhur nga stanet në Domje për të aplikuar. Kam 270 kokë dele dhe vij çdo vit këtu, pasi vetë nuk kam mundësi ta bëj në telefon”, tha fermeri Adem Lushi.

Ndryshe nga një vit më parë, forma e aplikimit këtë herë në portalin e-Albania është më e lehtë, pasi numri i veprimeve kompjuterike është përgjysmuar.

Për Skemën Kombëtare 2026 shumë veprime janë automatizuar dhe të dhënat që i vendos unë apo fermeri janë shumë të pakta, kjo për ta bërë sa më të aksesueshme për fermerët”, tha Gerantina Llanaj.

Për të qenë pjesë e kësaj thirrjeje, fermeri mund të përdorë edhe aparatin e tij celular, e pavarësisht kësaj pjesa më e madhe e tyre preferojnë të paraqiten pranë agropikave.

“Mjafton të hapim e-Albania dhe të ngarkojmë të dhënat, qytetin, masën që përfitojmë, numrin e llogarisë bankare dhe aplikimi kryhet me sukses. Zotëri, kësaj here për numrin e krerëve do të përfitoni më tepër para; nga 1200 lekë për kokë, tani do të merrni 1500 lekë për kokë”, tha Gerantina Llanaj.

Ndërsa për fermerët që janë nën 40 vjeç, për herë të parë do të kenë mundësi të përfitojnë 1 milion lekë të reja nëse ata vendosin të ndërtojnë një stallë apo të mbjellin një parcelë toke.

Top Channel