Hapen aplikimet për subvencione, mbi 5 mijë fermerë aplikojnë për Skemën Kombëtare, ende pa datë për IPARD III

25/05/2026 15:21

Ministria e Bujqësisë ka hapur sot aplikimet për Skemën Kombëtare me një fond prej 5.2 mln lekësh.

Gjatë një konference për shtyp, ministri i Bujqësisë, Andis Salla, tha se vetëm gjatë orëve të para numri i aplikimeve ka kaluar në 5 mijë, çka do të thotë se fermeri i beson sistemit dhe mundësisë së përfitimit.

“Deri tani janë mbi 5 mijë aplikantët e parë brenda një kohe shumë të shkurtër orari dhe ka një interes ndaj skemës kombëtare edhe për ta vënë në dispozicion, siç ne e kemi vendosur në 12 masa ndaj skemës kombëtare”, tha Andis Salla.

Për sa i përket programit IPARD III, Salla foli vetëm për detyrat, por nuk ka një datë se kur BE do të financojë fermerin shqiptar.

“Kemi bërë të gjitha detyrat e shtëpisë, të gjitha procedurat ligjore që na takojnë në bashkërendim me Brukselin, me Ministrinë e Financave dhe procedurat që ne kemi nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë, AZHBR dhe atyre çfarë ne duhet të depozitojmë. Kemi çuar të gjithë dokumentacionin dhe mbetet në vlerësimin e Komisionit për ta vlerësuar dhe për të ecur ne në një hap tjetër në IPARD III”, tha Andis Salla.

Numri një i bujqësisë gjatë fjalës së tij u bëri thirrje fermerëve të bashkohen, pasi kështu rritet vlera e produktit “Made in Albania” në tregjet europiane.

Top Channel