Një godinë në ndërtim shembet në Filipine, 19 të zhdukur

24/05/2026 08:32

Të paktën 19 persona rezultojnë të zhdukur pasi një ndërtesë shumëkatëshe në ndërtim e sipër u shemb në veri të Manilës, kryeqytetit të Filipineve, duke shkaktuar panik dhe një operacion të madh shpëtimi.

Sipas autoriteteve lokale, ndërtesa nëntëkatëshe me strukturë betoni u shemb në orët e para të mëngjesit në Angeles City, ndërsa punëtorët ndodheshin në zonë. Shërbimet e emergjencës u njoftuan rreth orës 3:00 të mëngjesit sipas kohës lokale.

Zëdhënësi i qytetit deklaroi se struktura dhe skelat u rrëzuan papritur, duke zënë poshtë disa punëtorë ndërtimi. Sipas tij, 19 persona që zakonisht ndodheshin në turn në momentin e ngjarjes ende nuk janë gjetur.

Ekipet e shpëtimit po përballen me vështirësi të mëdha për shkak të sasisë së madhe të betonit dhe rrënojave. Autoritetet kanë angazhuar makineri të rënda për të ngritur pjesët e shembura të ndërtesës dhe për të kërkuar për të mbijetuar.

Raportet paraprake bëjnë të ditur se 24 persona janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat, ndërsa dy të tjerë janë shpëtuar nga një ndërtesë pranë zonës së shembjes, e cila gjithashtu pësoi dëmtime.

Zyrtarët lokalë shpresojnë që personat e zhdukur të jenë mes të mbijetuarve të transportuar në spitale. Sipas autoriteteve, të plagosurit ndodhen në gjendje të qëndrueshme.

Deri tani nuk janë raportuar viktima, ndërsa hetimet për shkaqet e shembjes së ndërtesës vazhdojnë.

Top Channel