Referendumi për Berishën, pjesëmarrje 23% deri në orën 11:00, 11.906 anëtarë të PD kanë votuar
Deputetja e Partisë Demokratike, Ledina Alolli, ka deklaruar se procesi zgjedhor brenda partisë po zhvillohet normalisht dhe në përputhje me statutin dhe kuadrin ligjor të PD-së.
Ajo theksoi se deri tani nuk janë raportuar problematika në degët e Maliqit, Kolonjës, Korçës, Pogradecit dhe Devollit, ndërsa procesi, sipas saj, ka qenë i qetë dhe normal.
Alolli u shpreh se Partia Demokratike është e anëtarëve të saj dhe se ky proces është i rëndësishëm për forcimin dhe strukturimin e mëtejshëm të partisë.
“Procesi po ecën mirë, normalisht, brenda të gjithë kuadrit ligjor dhe duke u bazuar tek statuti i Partisë Demokratike. Shihet një angazhim maksimal i të gjithë strukturës së Partisë Demokratike për t’u bërë pjesë e këtij procesi, që do të thotë çdo demokrat i Korçës, dhe jo vetëm në Korçë, por edhe në bashkitë e tjera, duan që me votën e vet zëri i tij të dëgjohet.
Është një ndër proceset më të rëndësishme dhe mendoj që demokratët, me këtë angazhim maksimal, japin edhe njëherë mbështetjen për Partinë Demokratike, për liderin e Partisë Demokratike, në mënyrë që Partia Demokratike të vazhdojë në rrugën e duhur për të sjellë ndryshimin e duhur për të gjithë shqiptarët në këto momente kaq të rëndësishme.
Deri tani jo, me sa jam në dijeni për degën Maliq, për degën Kolonjë, ndërkohë për degën Korçë, Pogradec dhe Devoll, nuk ka pasur problematika në listat e votuesve dhe ju e keni parë vetë që procesi ka qenë i qetë dhe po zhvillohet në mënyrë normale.
Uroj që angazhimi i demokratëve të jetë më i madh në orët në vijim, pasi ne e dimë që anëtarët e degës së Partisë Demokratike nuk janë vetëm ata që jetojnë në qytet, por edhe në komuna, që do të thotë i kanë ditët e ngarkuara, merren edhe me bujqësi, me blegtori. Sigurisht që shpresojmë që orët në vijim të sjellin një numër më të madh të demokratëve në këtë proces votimi.
Partia Demokratike është e demokratëve dhe shpresoj që ky të jetë një ndër proceset më të rëndësishme për forcimin dhe strukturimin e mëtejshëm të Partisë Demokratike.“, u shpreh demokratja.
Top Channel