Mbyllet në Fier Turi Çiklistik i Shqipërisë, holandezi Niels Reemeijer shpallet fitues i gjithë kompeticionit

22/05/2026 13:49

Turi çiklistik i Shqipërisë 2026, i transmetuar ekskluzivisht në Digitalb, ka përfunduar sot me etapën e 5-të dhe të fundit.

Sipas itinerarit të përpiluar nga Federata Shqiptare e Çiklizmit, etapa e 5-të nisi në Vlorë dhe përfundoi në Fier, ku është kurorëzuar dhe fituesi i këtij edicioni të 83-të.

Policia rrugore e Fierit njoftoi bllokime të përkohshme në disa akse rrugore nga ora 10:00 deri në 13:15 duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.

Me një itinerar prej 121,3 kilometrash etapa ishte mjaft emocionuese dhe me shpirt luftarak gare nga çiklistët e 18 ekipeve pjesëmarrëse.

Pas rreth tre orësh garë i pari në finish mbërriti 22-vjeçari Gabriele De Fabritts  përfaqësues i ekipit kombëtar shqiptar, i cili la pas grekun Georgios Bouglas, ndërsa në vendin e tretë u rendit rumuni Alin Toader.

Pas garës vetë fituesi u shpreh se gara ishte emocionuese dhe se luftoi përgjatë gjithë kohës. Fituesi i gjithë edicionit u shpall holandezi Niels Reemeijer, i cili u shpreh mjaft i emocionuar teksa Shqipërinë e ka cilësuar një vend të bukur.

Ky aktivitet solli në Shqipëri frymën e çiklizmit ndërkombëtar duke promovuar sportin, garën dhe bukuritë e vendit përgjatë pesë ditëve intensive të kompeticionit.

Top Channel