E turpshme / Ish-kampioni i botës e kërkon për “nxemje”, anglezët nënvlerësojnë keq Kristjan Prengën!

22/05/2026 22:58

Lajmi se Kristjan Prenga do të ndeshet me ish-kampionin e botës, Anthony Joshua, nuk është më një sekret.

Megjithatë, ajo që të djeg më shumë kur lexon mediat britanike kohët e fundit, është mënyra se si ata e etiketojnë këtë duel.

Për ta, Prenga është thjesht një “rival i kufizuar” (limited opposition), një ndeshje stërvitore sa për të mbajtur Joshua-n në tonus përpara përplasjes së madhe me Tyson Fury-t në rrjetin Netflix.

Por, ne që e njohim rrugëtimin e Kristjanit, e dimë mirë se ky djalë nuk zbret në ring për të bërë “thesin e stërvitjes” për askënd. Për fansat shqiptarë, kjo nuk është thjesht një ndeshje korriku për të mbushur kalendarin e britanikut. Ky është një moment historik! Është hera e parë që një boksier me gjak shqiptar ka shansin të ndizet në të njëjtin ring me një nga ikonat më të mëdha të boksit modern në peshat e rënda.

Ndërsa bota e boksit mbron interesat e saj milionere, duke u dridhur se mos Tyson Fury po rrezikon gjithçka me emra si Andy Ruiz apo Jarrell Miller, në kampin e Joshua-s mendojnë se e kanë rrugën e lehtë në korrik. Pikërisht këtu gabojnë! Kristjan Prenga mban mbi supe jo vetëm dorezat e tij, por ëndrrën dhe mbështetjen e miliona shqiptarëve që mezi presin ta shohin duke përmbysur parashikimet e ftohta të analistëve anglezë. Joshua mund të jetë duke kërkuar një “nxemje”, por mund të përballet me një zjarr që nuk e ka llogaritur.

Top Channel