Kufi 30 ditë për pagesat, qeveria vendos kamatëvonesa për bizneset që nuk shlyejnë faturat në afat

20/05/2026 15:25

Bizneset që nuk paguhen në kohë mund të kenë më shumë mbrojtje ligjore. Qeveria ka hedhur për konsultim ndryshimet në ligjin për pagesat e vonuara në transaksionet tregtare, një draft që synon të vendosë rregulla më të forta për kompanitë dhe institucionet publike që vonojnë faturat.

Projektligji parashikon që pagesat mes bizneseve, por edhe mes bizneseve dhe institucioneve shtetërore, të kryhen brenda 30 ditëve. Vetëm në raste të veçanta afati mund të zgjatet deri në 60 ditë.

“Një iniciativë e mirë e ndërmarrë nga qeveria pasi formalizon edhe problemet që hasen ndërmjet bizneseve, por nga ana tjetër për bizneset duhet bërë më shumë. Mos të harrojmë situatën aktuale në të cilën ndodhen bizneset, të cilat me vështirësi arrijnë të mbajnë aktivitetin e tyre hapur.

Ky projektligj duhet të jetë më i specifikuar pasi edhe bizneset në vetvete kanë raste që nuk e respektojnë dot afatin. Asnjë biznes nuk dëshiron të hyjë në borxhe me bizneset e tjera, por vështirësitë financiare e detyrojnë, ndaj duhet të ndërhyjë qeveria me politika lehtësuese”, shprehet Blerina Gjyriqi nga Shoqata e Bizneseve të Vogla dhe të Mesme, Tiranë.

Ky projektligj përcakton edhe kamatvonesat. Nëse pagesa nuk kryhet brenda afatit, interesi për vonesën do të nisë automatikisht, pa pasur nevojë për procedura shtesë apo paralajmërime. Në relacion argumentohet se vonesat në pagesa kanë dëmtuar sidomos bizneset e vogla dhe të mesme, duke krijuar probleme me likuiditetin dhe konkurrencën në treg.

Një tjetër pikë e re është afati i procedurave të verifikimit apo kolaudimit të mallrave dhe shërbimeve. Sipas draftit, këto procedura nuk duhet të zgjasin më shumë se 30 ditë, me qëllim shmangien e zvarritjeve artificiale të pagesave.

Projektligji parashikon edhe përshpejtim të procedurave gjyqësore. Për faturat e pakundërshtuara nga pala debitore, gjykata duhet të lëshojë urdhrin e ekzekutimit brenda 90 ditëve.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, ndryshimet synojnë të krijojnë më shumë siguri për bizneset dhe të frenojnë praktikën e pagesave me vonesë, që prej vitesh konsiderohet një nga problemet kryesore të tregut shqiptar.

Top Channel