Këtë të hënë ngriti siparin e tij Turi i 83 Çiklistik i Shqipërisë, kompeticioni më i rëndësishëm i këtij sporti në vendin tonë dhe që transmetohet drejtpërdrejt në platformën Digitalb ku të gjithë do të kenë mundësinë të përjetojnë emocionet e çdo etape

Është një eveniment ku marrin pjesë 20 skuadra nga Ballkani dhe Evropa të cilat për 5 ditë nga kjo e hënë deri në 22 maj, do t’i japin jetë një rivaliteti sportiv që do të përshkojë rrugët e vendit tonë. Shqipëria  që do të kërkojë të thotë fjalën e saj në këtë kompeticion do të garojë me Olsian Velian, Lukas Sulaj Kloppenborg, Gabriele De Fabritis, Valentino Kamberaj, Marolino Hoxhën dhe Leo Pikun, të drejtuar nga Mejdin Melhani.

Edicioni i 83 i Turit Çiklistik që shihet edhe si një mundësi e shkëlqyer për promovimin turistik të vendit tonë, nisi në Sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë me etapën e parë të gjatë 177.4 km që përfundon në Lezhë. Kompeticioni do të vijojë me etapën e dytë, atë Lezhë-Elbasan 149.8 km e gjatë, një etapë që do të pasohet nga ajo Elbasan-Vlorë 172.3 km. Etapa e katërt do të jetë ajo që do të nisë në Vlorë e që do të përfundojë po në Vlorë 148.8 km. Etapa e fundit do të jetë Vlorë-Fier e gjatë 122.7 km dhe në përfundim të kësaj etape do të dalin edhe fituesit e këtij kompeticioni të madh çiklistik për vendin tonë.

Top Channel