Interi me sytë nga finalja e Europa League, zikaltrit mendojnë për transferimin e ekspertit të penalltive

18/05/2026 17:26

Finalja e Europa League mes Aston Villa dhe Freiburg pritet të jetë një përballje spektakolare, edhe pse në letër anglezët konsiderohen favoritë.

Ndeshja do të luhet më 20 maj në Tüpraş Stadium, shtëpia e Beşiktaş.

Megjithatë, vëmendja e shumë klubeve të mëdha evropiane është përqendruar te portieri i Freiburgut, Noah Atubolu, i cili konsiderohet një nga talentet më premtues në futbollin gjerman.

22-vjeçari është bërë titullar i padiskutueshëm që nga sezoni 2023-24, kur zëvendësoi Mark Flekken. Me reflekse të jashtëzakonshme dhe aftësi të spikatura në pritjen e penalltive, Atubolu ka tërhequr interesin e Interit, që po monitoron situatën e tij për merkaton e verës.

Sipas raportimeve, Freiburg kërkon rreth 20 milionë euro për kartonin e portierit, kontrata e të cilit skadon pas një viti.

I lindur në Freiburg më 25 maj 2002, nga një baba me origjinë nigeriane dhe një nënë gjermane me rrënjë nigeriane, Atubolu nisi karrierën si mbrojtës qendror përpara se të zhvendosej në portë në akademinë e Freiburgut, një vendim që ndryshoi karrierën e tij.

Portieri gjerman ka kaluar të gjitha ekipet zinxhir të kombëtares gjermane, nga U-17 deri te U-21, ku vendosi rekordin e paraqitjeve për një portier me 22 ndeshje, duke kaluar edhe legjendën Manuel Neuer.

Atubolu është krahasuar shpesh me Neuer për stilin e tij modern të lojës, aftësinë me këmbë dhe daljet e sigurta. Por arma e tij më e fortë mbetet pritja e penalltive. Në vitin 2025, ai u bë portieri i parë në historinë e Bundesligës që priti pesë penallti radhazi.

Top Channel