Momente paniku në Katalonjë, përplasje e frikshme mes tri motorëve, ndërpritet menjëherë gara!
Çmimi i Madh i Katalonjës në pistën e Montmelo në Botërorin e MotoGP do të kujtohet si një prej garave më kaotike dhe më të paparashikueshme të viteve të fundit. Në një të dielë të karakterizuar nga 2 ndërprerje të garës dhe 3 rinisjeve për shkak të aksidenteve të frikshme ai që triumfoi ishte Fabio Di Giannantonio.
Incidenti i Alex Marquez
Gara u kushtëzua shumë nga tensionet dhe të papriturat që në minutat e para. Pas ndërprerjes së parë të garës pas valëvitjes së flamurit të kuq që ndodhi pas një përplasje mes Pedro Acostës dhe Alex Marquez, gara rinisi por sërish u regjistrua një moment drithërues në kthesën e parë teksa u panë të rrëzohen Bagnaia, Luca Marini e Johann Zarco duke detyruar sërish komisarët e garës të valëvisnin flamurin e kuq.
Rinisja e garës
Pas shuarjes së semaforëve, gara përjetoi dramën e radhës sportive pas kontaktit mes Raul Fernandez dhe Jorge Martin me këtë të fundit që u tërhoq. Nga ai moment doli në skenë Di Giannantonio i cili në fund arriti të fitojë këtë garë kaotike duke lënë pas Joan Mir dhe Fermin Aldeguer që plotësuan kështu podiumun duke u renditur respektivisht në vendin e dytë dhe të tretë. Në xhiron e fundit pati një tjetër incident këtë radhë me Pedro Acostën që u rrëzua duke e braktisur garën. Në vendin e katërt u rendit Francesco Bagnaia i ndjekur nga bashkëkombasi i tij, Marco Bezzecchi në vendin e pestë. Ky i fundit blindon kreun e klasifikimit të përgjithshëm për pilotë me 140 pikë, i ndjekur nga Jorge Martin në vendin e dytë me 127 pikë, ndërsa në vendin e tretë është Fabio Di Giannantonio me 116
Top Channel