Me tren në vitin 2027. Rijetëzohet hekurudha e vjetër Tiranë-Durrës, kushte moderne dhe shpejtësi 120 km/h

17/05/2026 20:05

Këtu ku sot dëgjohet vetëm zhurma e makinave dhe ritmi i qytetit, shumë vite më parë dëgjohej një tjetër tingull, ai i trenit që lidhte Tiranën me gjithë Shqipërinë.

Pas dekadash heshtjeje në shina, projekti për rikthimin e trenit drejt kryeqytetit ka hyrë zyrtarisht në garë.

Tenderi i cili do të bëjë të mundur lidhjen e Terminalit të Transportit Publik me Stacionin Qendror të Trenit në Tiranë me një vlerë prej 15.7 mln euro është dhe hapi i radhës për rikthimin e trenit brenda në kryeqytet pas dekadash në heshtje.

Drejtori i Projektit për hekurudhën Tiranë-Durrës-Rinas, Bashkim Kasoruho, tregon në një intervistë për Top Channel detaje rreth projektit, si dhe zbulon se kur do të vihet në funksion: “Ky projekt është qershia mbi tortë e korridorit, do të risjellë trenin në kryeqytet. Duke menduar se stacioni në 2014 ishte dhe pas kaq shumë vitesh nuk është më, jemi të lumtur që do ta risjellim brenda në kryeqytet. Lokacioni është i njëjti, rreth 100 metra pa dalë te bulevardi Zogu i Parë.”

Ndërtimi i hekurudhës Tiranë-Durrës ka kaluar në 3 faza të rëndësishme, 1 prej të cilave ka përfunduar plotësisht.

“Sot që flasim, kontrata 1 nga Tirana në Durrës ka mbaruar pothuajse 100% punimet, jemi në fazën finale duke pastruar gjithë linjën. Kontrata e dytë, e nënshkruar në 2025, ka të bëjë me realizimin e godinave hekurudhore nga Durrësi në Tiranë, përfshirë dhe 2 ndalesat e linjës që të çon në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit. Komponenti i tretë, elektrifikimi hekurudhor. Jemi në pikë të avancuar. 50% kredi dhe 50% grant në bashkëpunim me BERZH. Sapo kemi përfunduar procesin e prokurimit ndërkombëtar dhe brenda qershorit do të nënshkruajmë kontratën dhe nisim punimet që do të zgjasin 18 muaj. Dhe në fund të 2027 do të kemi përfunduar elektrifikimin hekurudhor.”

Me çfarë shpejtësie do të jenë trenat shqiptarë?

“Linja është e shpejtësisë së lartë, mund të ecë deri në 250 km/h, por për shkak të gjeometrisë së linjës, kthesave, shpejtësia maksimale është 120 km/h për shkak të ndalesave që do të bëjë. Në segmentin që do hyjë në brendësi të Tiranës, 70 km/h.”

Kushtet?

“Trenat që do të operojnë do të jenë modernë elektrikë, me komoditet për persona me aftësi të kufizuara, për persona që lëvizin me biçikleta gjithashtu, të pajisur edhe me tualete, kondicionerë, çdo gjë që shohim edhe në vendet e BE-së.”

Kështu do të jenë edhe pamjet e trenave dhe stacioneve hekurudhore, duke nisur që nga pika zero, ajo e stacionit të Vorës. Të përfunduara me trena modernë dhe sigurinë e duhur.

Nëse gjithçka do të ecë sipas afateve të parashikuara, pas disa vitesh këto shina mund të rikthejnë sërish zhurmën e trenit në Tiranë. Një projekt që për shumëkënd duket si rikthim në të shkuarën, por që synon të jetë një hap drejt transportit të së ardhmes.

Top Channel