A do të vazhdojë Simeone të jetë trajner i Atleticos? Tekniku argjentinas vulos të ardhmen me deklaratën e fundit

17/05/2026 22:45

Diego Simeone ka folur për të ardhmen e tij te Atlético Madrid, duke dhënë sinjale të qarta për vazhdimësinë në pankinën madrilene dhe duke dërguar njëkohësisht mesazhe për drejtuesit e klubit në prag të merkatos së verës.

Tekniku argjentinas u shpreh se fokusi i tij kryesor mbetet sezoni i ardhshëm dhe forcimi i skuadrës me elementë të rinj cilësorë. Simeone theksoi se suksesi në futboll nuk varet vetëm nga trajneri, por mbi të gjitha nga cilësia e lojtarëve që një ekip arrin të ketë në dispozicion.

“Futbolli ndërtohet mbi lojtarët dhe cilësinë e tyre”, deklaroi Simeone, në një koment që u interpretua si një kërkesë e drejtpërdrejtë ndaj klubit për përforcime gjatë merkatos.

Trajneri i Atleticos shtoi se objektivi aktual është mbyllja sa më mirë e sezonit dhe ruajtja e stabilitetit brenda grupit, ndërsa nënvizoi se çështjet ekonomike dhe strategjike nuk varen prej tij, duke lënë të kuptohet se përgjegjësia për projektin sportiv i takon drejtuesve dhe pronarëve të klubit.

Pavarësisht spekulimeve për të ardhmen, Simeone konfirmoi përkushtimin maksimal ndaj skuadrës dhe deklaroi se ekipi do të luftojë deri në fund për rezultatet më të mira të mundshme.

Deklaratat e trajnerit argjentinas forcojnë idenë se ai pritet të vazhdojë në krye të Atlético Madrid edhe sezonin e ardhshëm, ndërsa klubi mund të hyjë në një fazë ndryshimesh gjatë merkatos verore.

Top Channel