Sistemit unik i pagesave SEPA/ 363 mijë transferta në 6 muaj, zëvendësguvernatorja e BSH: Janë ulur kostot ndjeshëm

14/05/2026 20:15

363 mijë transferta hyrëse dhe dalëse janë kryer nëpërmjet sistemit unik të pagesave SEPA vetëm në 6 muaj. Zëvendësguvernatorja e parë në Bankën e Shqipërisë Holta Zaçaj, gjatë forumit Ballkanik të pagesave bëri të ditur se me nisjen e transaksioneve në të këtij sistemi në Shqipëri që prej 7 tetorit 2025 kostot janë reduktuar 23 herë.

“Këto shifra kanë tejkaluar bindshëm projektimet fillestare të sektorit bankar. Të dhënat e Bankës Botërore nga fillimi i vitit 2026 tregojnë se kostot mesatare të transfertave ndërkufitare kanë rënë ndjeshëm. Prandaj, për transfertat me vlerë të vogël dhe mesatare, kostot mesatare kanë rënë nga 0.76% në vetëm 0.08%, ndërsa për transfertat e mëdha, ato kanë rënë në vetëm 0.02%.

Të dhënat dëshmojnë efektet pozitive të reformave të Bankës së Shqipërisë në fushën e pagesave dhe digjitalizimit financiar. Gjatë vitit 2025, 67% e pagesave bankare u kryen me karta dhe 20% përmes telefonit ose internetit, ndërsa numri i pagesave elektronike për frymë arriti në 29 pagesa, duke u trefishuar krahasuar me vitin 2020. Për herë të parë, pagesat me kartë kanë tejkaluar tërheqjet e parasë fizike sa i përket frekuencës, duke reflektuar ndryshimin e sjelljes së pagesave dhe rritjen e përfshirjes financiare në vend”, tha ajo.

Gjithashtu, Zëvendësguvernatorja e Parë theksoi progresin e bërë në drejtim të harmonizimit të kuadrit rregullator me standardet e Bashkimit Evropian, zhvillimit të bankingut të hapur, modernizimit të infrastrukturës së pagesave dhe rritjes së nivelit të edukimit.

Top Channel